Pas humbjes së Kastriotit në derbi, trajneri Ndreu: Duhet reagim i menjëhershëm ndaj Burrelit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 12:59

Pas humbjes së Kastriotit në derbi, trajneri Ndreu: Duhet reagim i menjëhershëm ndaj Burrelit

Derbi krutan mes Ilirisë dhe Kastriotit, i vlefshëm për javën e 26-të të Kategorisë së Parë, u zhvillua në stadiumin “Redi Maloku” dhe përfundoi me fitoren minimale 1-0 të vendasve. Një përballje e luftuar, ku Kastrioti u paraqit me disa mungesa të rëndësishme në formacion, çka ndikoi në lojën dhe rezultatin final. 

ramadan ndreu

Pas humbjes në këtë sfidë, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, foli për “Panorama Sport”, duke theksuar se mungesat dhe rënia e përqendrimit maksimal te lojtarët ishin faktorë vendimtarë. Sipas tij, skuadra ka arritur një pjesë të objektivit sezonal, renditjen në gjashtëshen e parë të tabelës, që përfshin edhe zonën “play-off”, gjë që ka ndikuar në motivimin e grupit. “Duke qenë se Kastrioti e nisi shumë keq kampionatin dhe për disa javë mbante vendin e fundit, fakti që tani renditet në vendin e pestë është një arritje e madhe për këtë skuadër. Ndoshta kjo ka bërë që ekipi të mos jetë në nivelin maksimal të motivimit. Në ndeshjen me Ilirinë u përpoqëm shumë, por kur mungojnë disa hallka të rëndësishme, lidhja mes reparteve nuk është në mënyrën e përkryer dhe loja nuk funksionon siç duhet”, u shpreh Ndreu.

Tekniku krutan theksoi gjithashtu se ndeshjet e mbetura do të kenë rëndësi të madhe, pasi skuadrat që ndodhen poshtë në renditje po afrohen në pikë. Kjo situatë e detyron Kastriotin të reagojë për të ruajtur objektivin sezonal. “Në ndeshjen e ardhshme ndaj Burrelit do të angazhohemi maksimalisht për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”, përfundoi trajneri i Kastriotit. Humbja në derbi shërben si një sinjal alarmi për krutanët, të cilët tashmë duhet të tregojnë forcë karakteri në javët vendimtare të kampionatit.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL