Partizan “i plagosur”, Gega nuk ia gjen ilaçin. Sezoni i të kuqve është në rrezik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2025 | 10:42

Partizan “i plagosur”, Gega nuk ia gjen ilaçin. Sezoni i të kuqve është në rrezik

Sezoni i Partizanit është në rrezik. Kur të gjithë po prisnim që të kuqtë t’i jepnin Tiranës goditjen e fundit drejt Kategorisë së Parë, në fakt ishin bardheblutë që u ngritën nga tapeti dhe u dhanë një “kroshe” të kuqve, për t’i komplikuar gjithë sezonin.partizaniHumbja 3-0 kundër Tiranës dhe fitorja e Elbasanit kundër Egnatias e shkurton në vetëm një pikë diferencën mes vendit të katërt, ku ndodhen “Demat” dhe verdheblutë të pestët. Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga mbyllja e sezonit, të kuqtë duhet të kalojnë me sukses betejat kundër Egnatias, Bylisit dhe atë direkte me Elbasanin, që me siguri do të vendosë gjithçka rreth katërshes.

DERBI – Ndoshta pas atij të humbur 5-1 në 2020-ën, ky i fundit ishte një nga derbet e interpretuara më dobët nga Partizani në dekadën e fundit. Të kuqtë kanë shkuar gjithnjë si një skuadër kompakte dhe me personalitet në këtë ndeshje, por u dukën shumë të vegjël edhe kundër një Tirane të renditur në vendin e fundit. Skuadra nuk shfaqi në asnjë moment cilësitë e saj dhe asnjë individ nuk arriti të dallonte.

RRESHTIMI – Në fakt, gabimi nisi që në ndërtimin e formacionit, me Gegën, që u tregua fisnik, duke e pranuar gabimin dhe duke korrigjuar sa shpejt mundi. Lënia e Kotes në stol dhe aktivizimi i Mintongos nga minuta e parë ishte një vendim jo i matur. Kamerunasi ishte jashtë ritmit gjithë kohës dhe për më tepër shkaktoi edhe faullin në momentin e golit të parë të shënuar nga Tirana. Bintsuka gjithashtu ishte larg nivelit të tij të zakonshëm dhe nuk u bë protagonist në asnjë moment.

“KALA RËRE?” – Kjo kundër Tiranës nxori edhe një herë në pah problemet e mëdha që ka Partizani. Kjo skuadër me lojën që bën, nëse do të niste kampionati sot, do të luftonte për mbijetesën. Nuk ka liderë, lojtarë mesatarë, mungesë mentaliteti, por edhe motivimi. U duk sikur trajneri Gega falë ndërhyrjes së tij të shpejtë në harkun e pak ditëve arriti të riparojë disa probleme, por kjo duket se ka qenë vetëm për momentin. Kjo skuadër është e ndërtuar keq dhe duket se ka nevojë për më shumë ndërhyrje dhe kohë. Ajo që u ndërtua me Laçin dhe Egnatian, u shkërmoq në një derbi në “Arenën Kombëtare”.

GABIMET – Është e çuditshme sesi lojtarët e Partizanit gabojnë në mbrojtje thuajse në çdo ndeshje. Në derbi ishte radha e Sembene që të jepte një pasim të gabuar mbrapa dhe të përfitonte Ernest, i cili më pas fitoi penallti përballë Hoxhës dhe e shndërroi në gol për 3-0. Vetëm në 10 ndeshjet e fundit të jenë shtatë apo tetë gola të dhuruar me të tilla gabime amatore, ku për të së vërtetës Sembene është shfaqur më protagonist se të tjerët.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL