ORA 12:00/ “Final 4”, sot zbulohet rruga drejt titullit kampion të Superiores
Sot në orën 12:00 mësohet rruga drejt titullit kampion. Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit do të hidhet shorti për dy gjysmëfinalet e “Final 4”.
Katër ekipet më të mira kanë siguruar vendin e tyre në fazën finale të kompeticionit. Në vazon e parë do të vendosen Egnatia dhe Vllaznia, ndërsa në vazon e dytë, Dinamo dhe Partizani. Ndeshjet do të luhen më 4-5 maj në stadiumin “Arena Kombëare” në kryeqytet, ndërsa finalja do të zhvillohet më datën 12 maj, në po të njëjtin stadium.
NJOFTIMI- Në lidhje me shortin, FSHF-ja ka bërë një njoftim zyrtar: “Departamenti i Garave në FSHF ka përcaktuar datat e zhvillimit të ndeshjeve të fazës ‘Final 4’, ku do të përcaktohet kampioni i edicionit 2024/2025 të ‘Abissnet Superiore’, si edhe skuadrat që do të marrin pjesë në kualifikueset e UEFA Conference League. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin ‘Arena Kombëtare’, në periudhën 4–12 maj 2025. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 4 maj, ndërsa gjysmëfinalja e dytë më 5 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është planifikuar për datën 9 maj, ndërsa finalja për titullin kampion do të luhet më 12 maj. Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, u përcaktuan edhe vazot e ekipeve për ‘Final Four’, ku Egnatia dhe Vllaznia janë pjesë e vazos së parë, ndërsa Dinamo City dhe Partizani janë pjesë e vazos së dytë. Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 29 prill, në ora 12:00 në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Të katër skuadrat e kualifikuara do të përfitojnë shpërblime sipas rregullores së aktivitetit. Ekipi kampion, përveç shpërblimit financiar, do të sigurojë edhe pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa tri ekipet e tjera do të marrin pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL













