Opinion nga Artan Shyti/ Nën shembullin e FSHF-së
Asambleja e përgjithshme e FSHF-së, më datë 25 qershor, ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm. Praktikisht, ka vendosur daljen nga KOKSH-i. Një akt i rëndë, një reagim i drejtë.
Ndonëse për shumë duket “një rrufe në qiell të hapur”, realisht ky vendim është një tjetër përshkallëzim i qëndrimeve parimore dhe të drejta që FSHF-ja ka adaptuar prej katër vitesh, në raport me një Komitet Olimpik, i cili që nga viti 2021 ka hyrë në një spirale paligjshmërie, prej së cilës nuk do të dalë edhe kur kjo vërtetohet përfundimisht e në mënyrë të pakundërshtueshme nga KAS, që është gjykata ndërkombëtare më e lartë sportive.
Këtë vendim të KAS-it, KOKSH-i jo vetëm që nuk e zbaton, por ka vazhduar në “rrugën qorre” me një injorancë ligjore dhe arrogancë institucionale që njollos jo vetëm këtë organizatë, por gjithë lëvizjen sportive kombëtare. Në realitet, KOKSH-i ka një listë zullumesh që është shumë më e gjatë se kjo. KOKSH-i ka uzurpuar aktivitetin e federatave shqiptare më të rëndësishme, pas futbollit, ato të basketbollit dhe volejbollit, si dhe të federatave të sportit universitar e shkollor, duke zhvilluar një “projekt” faraonik me shpenzime marramendëse për realitetin financiar të sportit shqiptar dhe me rezultate konkrete fantazmë.
Ky projekt që u trumbetua si shpëtimi i basketbollit dhe volejbollit, po rezulton një fiasko. Asnjë talent i zbuluar, asnjë ekip që u shtohet moshave të reja në këto federata. Thjesht, shpenzime pafund për aktivitete që nuk lënë asnjë gjurmë reale dhe nuk japin asnjë kontribut për të ardhmen e këtyre sporteve. Dhe, kur mendon se janë harxhuar të paktën 10 milionë euro për këtë projekt deri tani ose sa dhjetëfishi i buxhetit për të gjitha federatat bashkë, kjo bëhet edhe më absurde. Dhe, kur gjykon që gjithë ky aktivitet është zhvilluar nga një organizatë që funksionon në shkelje të ligjit dhe statutit, atëherë situata bëhet edhe më alarmante.
FSHF-ja mbajti në Asamble qëndrimin e vet. Me të drejtë nuk mund të jetë anëtare e një organizate të paligjshme. Do të ishte në nderin e federatave të tjera që të ndjekin këtë shembull, duke shpresuar që në mënyrë dinjitoze të kontribuojnë që të rikthehet ligjshmëria dhe logjika në lëvizjen sportive kombëtare. Pakënaqësitë dhe ankesat nëpër kafene duhen institucionalizuar haptas, përndryshe, në vend që ta zbresin me këmbët në tokë, do vazhdojnë të kontribuojnë në fryrjen e mëtejshme të “tullumbaces” së KOKSHit. Se tullumbacet fluturojnë jo për meritë të tyre, por sepse e kanë “erën” në favor. Gjë që nuk zgjat pafundësisht. Dhe ka gjithmonë kohë për të kërkuar dhe për të dhënë llogari…
PANORAMASPORT.AL













