Nuk ndodhte asnjëherë këtë sezon, Dinamo thyen makthin
Dinamo arriti të fitonte ndaj Vorës me rezultatin 2-1, duke marrë 3 pikë të arta që e konsolidojnë në zonën e “Final 4”. Dinamo është kthyer në një skuadër të brishtë në mbrojtje në ndeshjet e fundit dhe po pëson shumë gola pasi në 4 sfidat e fundit të Superiores, Dinamo ka pësuar 5 gola ndërkohë që deri para derbit, ishte mbrojtja më e mirë.

Por, fitorja ndaj Vorës ka thyer një “makth” për Dinamon duke qenë se këtë sezon, blutë nuk kishin arritur të përmbysnin asnjëherë sfidën. Në të gjitha ndeshjet ku Dinamo ka pësuar e para, ka humbur me përjashtim të sfidës me Elbasanin ku arriti vetëm të barazonte.
Ndaj Vorës, e pa veten në disavantazh në pjesën e parë, por blutë bënë gjithçka mirë në të dytën duke e përmbysur sfidën në 2-1. Qardaku shënoi edhe golin e tretë por që u anulua për faull.
Dinamo bëri një ndeshje me dy fytyra, ku në të parën ishte Vora që kishte shanset e saj dhe Dinamo u duk më e ndrojtur, ndërsa në të dytën, “nëndetësja” mori kontrollin e lojës dhe po dominonte dukshëm në fushë, gjë që solli edhe fitoren e radhës për të besuarit e Dajës.
PANORAMASPORT.AL













