Nuk do ketë koncert, por as ndeshje në “Loro Boriçi”! Vllaznia dërgon çështjen në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2025 | 12:51

Nuk do ketë koncert, por as ndeshje në “Loro Boriçi”! Vllaznia dërgon çështjen në UEFA

Stadiumi “Loro Boriçi” solli situatë të paprecedentë. Në fund, rezulton se koncert nuk do të mbahet në stadium, por as Vllaznia nuk e zhvillon ndeshjen aty.

LORO BORICI

Kuqeblutë zyrtarizuan dje axhendën në “Elbasan Arena”, ndërsa sot e konfirmuan sërish. Vllaznia po ashtu tregon se e ka dërguar çështjen në UEFA.

Njoftimi i Vllaznisë:

“KF Vllaznia falenderon Federatën Shqiptare të Futbollit për sqarimin e fundit zyrtar drejtuar Bashkisë Shkodër, ku kërkohet qartësisht anullimi i koncertit të planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, për të garantuar standardet dhe organizimin korrekt të ndeshjeve ndërkombëtare.

Njëkohësisht, çështja është adresuar edhe në selinë e UEFA-s në Nyon, ku përfaqësues të klubit kanë ngritur shqetësimin mbi situatën. Zyrtarë të UEFA-s kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër zhvillimit të aktiviteteve të tilla përpara ndeshjeve europiane, për shkak të rrezikut që i kanoset fushës dhe kushteve teknike te komplet impjantit sportiv.

Përshëndesim vendimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për të anulluar koncertin dhe ritheksojmë se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale – në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve.

Duke marrë parasysh afatet dhe protokollet ndërkombëtare, KF Vllaznia ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”. Ftojmë të gjithë tifozët kuqeblu që, si gjithmonë, të jenë pranë skuadrës edhe në Elbasan, me të njëjtin pasion dhe mbështetje të zjarrtë. Së bashku për Vllazninë, në këtë rrugëtim europian! Le te kalojmë bashkë këtë tur dhe të rikthehemi në shtëpinë tonë për ndeshjet e ardhshme nderkombëtare dhe kombëtare, siç i ka hije Vllaznisë!”

PANORAMASPORT.AL