Nisin falenderimet dhe mesazhet e lamtumirës, Flamurtari ndan rrugët me dy të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2025 | 12:04

Nisin falenderimet dhe mesazhet e lamtumirës, Flamurtari ndan rrugët me dy të huaj

Flamurtari nis të ndajë rrugët me lojtarët e parë. Dy futbollistë të huaj, me sa duket, nuk do të jenë në projektin e ri të kuqezinjve, tashmë të rikthyer në Superiore pas pesë sezonesh. Një prej tyre është Fernando Armando, i njohur edhe si Fenardinjo. 30-vjeçari u rikthye në Vlorë në gushtin e vitit të shkuar.

FLAMURTARI

Me vlonjatët, braziliani luajti në sezonin 2022-2023, kur skuadra drejtohej nga Dritan Resuli. Sezonin e shkuar, ai u transferua në Greqi tek AO Neas Ionias. Braziliani ka luajtur në vendlindje dhe në Portugali, por edhe në Greqi dhe u rikthye në Vlorë për të ngjitur ekipin në Superiore. Pasi e arriti këtë, duket se nuk është në planet e klubit për elitën. Fernandinjo u promovua në Vlorë nga ish-trajneri brazilian, Marcelo Troisi, i cili kishte edhe rolin e menaxherit teksa në atë kohë bashkëpunonte si i tillë edhe me klubin. Fernando Armando është larguar tashmë nga Vlora bashkë me familjen drejt Brazilit.

Një tjetër lojtar, që, me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e projektit të ri të Flamurtarit, është Juan Andres Bolanos. Kolumbiani 33-vjeçar vetëm pak kohë më parë, në muajin shkurt, u shpreh për “Panorama Sport” se kishte ardhur te Flamurtari me misionin për ta ngjitur në Superiore. Balanos ishte një zgjedhje e vetë trajnerit Andrea Agostineli. Përpara se të vinte te kuqezinjtë, ai kishte luajtur më parë në Maltë, Honduras, Peru, Kinë, Argjentinë dhe Kolumbi. Gjasat janë që mbrojtësi i qendrës ta vijojë karrierën në një tjetër skuadër.

DEKLARATAT – Klubi ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar rreth lojtarëve që do të qëndrojnë në Vlorë për sezonin e ri. Por nga ato çfarë deklarojnë vetë protagonistët, Fernandinjo dhe Bolanos, të lë të kuptosh se ato janë fjalë “lamtumire”. Fernando Armando ndihet shumë i lumtur për arritjen e objektivit dhe falënderon administratorin Sinan Idrizi për mundësinë që i ka dhënë. “Faleminderit shumë Flamurtarit. Ju jam shumë mirënjohës për një mundësi tjetër që më dhanë për t’u rikthyer në këtë klub. Erdha për Superioren dhe ia kam arritur qëllimit, kjo gjë më gëzon pa masë. Falënderoj presidentin Sinan Idrizi për këtë mundësi. I uroj suksese Flamurtarit”, shprehet Fernandinjo.

Edhe Juan Andres Bolanos duket se ka falënderimet e fundit për klubin, por edhe i uron suksese për vazhdimësinë. Kolumbiani thekson se ishte një vit ku mësoi dhe u rrit shumë. “Flamurtari më në fund në Superiore. Për këtë qëllim erdha këtu dhe e arrita me sukses. Në Vlorë u ndjeva mjaft mirë. Ishte një vit që mësova shumë dhe u rrita si njeri. Futbolli në Shqipëri është i fortë dhe konkurrues. Ishte një kampionat i vështirë, por më në fund arritëm që të dilnim me rezultatin që donim që në fillim ta rikthenim këtë skuadër aty ku e ka vendin dhe meriton që të jetë”, përfundon Bolanos.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL