Tirana gafë me Bathën, “shpërthen” Bedri Omuri: Kale dhe Torasa janë sa për numër
Shpërthen Bedri Omuri. Një nga ishtrajnerët te moshat e Tiranës, që ka pasur edhe Idriz Bathën, tregon sesi u skarcua mesfushori aktual i bardhebluve, që më pas kaloi te moshat e Partizanit, në Kavajë dhe në disa klube të Superiores. Në fillim, për “RTSH Sport”, Bedri Omuri ka folur për afrimet e fundit te klubi Tirana.

Sipas tij, ai që kalon është vetëm Idriz Batha, ndërsa lojtarët e tjerë janë vetëm për numër. “Me emra duket mirë për momentin, por disa lojtarë nuk më duken të vlefshëm për Tiranën. Nga futbollisët që janë marrë, më duken si afrime për të plotësuar rreshtat, vetëm Batha ma ka mbushur mendjen”, tha ai. Omuri po për “RTSH Sport” kujton se Batha ka qenë goxha lojtar, por u largua nga ata që nuk e donin. Ose të paktën, ata që nuk duan talentet të ecin përpara. “Ka qenë lojtar shumë i mirë në akademi.

I ka humbur disa nga vlerat e dikurshme, shënonte shumë gola dhe luante si organizator. Më pas, kur filloi të luante te Besa, Teuta dhe Partizani, ai ka luajtur në role të tjera dhe ka ndryshuar si lojtar”, vazhdoi më tej Omuri. Ish-mesfushori i bardhebluve pranoi se djaloshit i është bërë padrejtësi me largimin nga kryeqytetasit. “Duhet të ishte me kohë te Tirana. U bë një padrejtësi me të. Kur ishte trajner Rubio, ai e pëlqente shumë, por më pas disa pseudotrajnerë që erdhën te Tirana nuk e vlerësuan siç duhet.

Nuk ka përse t’u vijë keq tifozëve. Batha ka qenë për dy vite pjesë e Tiranës. S’duhet të harrojmë se futbolli tani është kthyer në një profesion”, deklaroi trajneri i moshave. Trajneri dhe një nga më të mirët në mesfushën e Tiranës pranoi se ekipi duhet të ndryshojë shumë për të qenë kompetitiv. Mbrojtja nuk më pëlqen, duhen dy ose tre mbrojtës. Edhe në mesfushë duhen ndërhyrje. Në sulm do jetë mirë po të jetë Ngo, por ai i vetëm nuk e plotëson dot të gjithë repartin”, mbylli Bedri Omuri.
/PANORAMASPORT.AL/













