Ngjeshet kalendari, Partizani mëson axhendën për katër ndeshje
Partizanin e presin katër javë delikate në vazhdim, me synimin për të dalë përfundimisht nga zona e ftohtë. Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar axhendën për të kuqtë, ndërsa bie në sy kalendari i ngjeshur në dy javë.
Në anën tjetër për takimet në fjalë janë rezervuar dy orare të ndryshme, 16:30 për sfidat tek “Arena e Demave”, dhe 18:00 për ndeshjet si klub mik. Vetëm sfida me Elbasanin është jashtë Tiranës, pasi ndaj Vllaznisë, Bylisit dhe Tiranës do të luhet në kryeqytet.
Partizani nuk ka pse të mendojë për transferta të largëta gjatë dy javëve në fjalë. Interesant është fakti se në katër ndeshjet e përmendura, rezervohen përballje me dy ekipe kryesuese dhe dy të tjera për mbijetesë. Partizani i Kërnajës mund të shikojë potencialin e tij real gjatë kësaj kohe.
VLLAZNIA– Java e 12-të rezervon një supersfidë. Partizani do të masë forcat me Vllazninë, për herë të parë në këtë vit te stadiumi “Arena e Demave”. Ndeshja është caktuar më 23 nëntor, ora 16:30. Do të jetë e diel, ndërsa Partizani dhe Vllaznia kan pasur gjithë kohën e mundshme për ta përgatitur si duel. Po ashtu morali është i lartë, për shkak të fitoreve në javën e fundit.
ELBASANI DHE BYLIS- Partizani do të luajë vetëm një ndeshje jashtë Tiranës, gjatë këtyre katër javëve. Bëhet fjalë për sfidën me kryesuesit e Elbasanit. Një ndeshje që do të zhvillohet ditën e premte, më 28 nëntor ora 18:00. Më tej të kuqtë rikthehen sërish në shtëpi.
Ndaj Bylisit do të maten forcat, më 3 dhjetor ora 16:30 te stadiumi “Arena e Demave”. Sfidë kjo që shfaqet mes dy rivalëve të drejtpërdrejt për mbijetesë. DERBI- Tirana do e presë derbin e radhës në stadiumin “Air Albania”. Sfida e 7 dhjetorit përkon me ditën e diel dhe për të është caktuar ora 18:00. Kështu synohet të ketë më tepër tifozë në stadium, pavarësisht situatës së vështirë që po kalojnë të dyja klubet.
PANORAMASPORT.AL













