Nga Leçe në Vlorë me not, Eva Buzo shkruan historinë: Shikoja gjëra të frikshme, kisha halucinacione
Eva Buzo përfundoi të hënën udhëtimin e saj prej 35 orësh e 17 minuta dhe 92 kilometra nga brigjet e Leçes në Itali. Ajo notoi nga shkëmbinjtë e San Foça deri në Gadishullin e Karaburunit në Vlorë, ku dhe ka prekur tokën shqiptare në një nga gjiret e Karaburunit, në afërsi të kepit të Gjuzës në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Buzo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë misionit të saj. Në momentin e mbërritjes, Eva nuk ishte në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Ajo është shoqëruar nga roja bregdetare dhe më pas nga dy mjetet gomone. Gjatë udhëtimit një mjet lundrues tip gomone i ka dërguar akullore, pasi sipas stafit, ajo kishte nevojë për të konsumuar gjëra të ëmbla, sepse kripa e shumtë në trup i kalcifikon fytin. Sfida e Eva Buzos nisi pasditen e 17 gushtit 2024 dhe përfundoi rreth orës 05:00 të mëngjesit të 19 gushtit, kur preku tokën shqiptare. Eva mbërriti me gomone në portin e Radhimës, ndërsa peshkatari Sherif Dyrmishaj, i cili e ka shoqëruar gjatë këtij rrugëtimi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Evës i shpreh shumë urime. Hyri në historinë e detit në një mënyrë më fisnike, duke sakrifikuar veten e saj. Jam pa fjalë! Kalimi i kanalit të Otrantos, pas një dështimi të një viti më parë, do të themi e betonoi emrin e Evës në një nga shkëmbinjtë e Karaburunit. Unë do të thosha që ta quajmë ‘Shkëmbi i Evës’ atë ku ajo preku për herë të parë tokën shqiptare”.
NDIHMA MJEKËSORE Të hënën Buzo u dërgua në Spitalin Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore. Ajo u vizitua në spital nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili bashkëbisedoi me drejtoreshën e spitalit, Brunilda Mersini. Kjo e fundit tha se të gjithë mjekët janë në gatishmëri të Evës. Ndërsa kryebashkiaku Dredha theksoi se është krenar që Buzo zgjodhi Vlorën në këtë sfidë. “Krenarë që Eva zgjodhi Vlorën dhe Shqipërinë, vendin e saj të origjinës, për këtë arritje të madhe, duke demonstruar forcën dhe përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm dhe duke u bërë një shembull inspirues për të gjithë”. Sipas mjekëve të Spitalit të Vlorës, Eva Buzos i janë realizuar analizat dhe kontrolli i zemrës, ndërsa ka rezultuar me probleme të dehidratimit nga udhëtimi i gjatë. Edhe Kryeministri Edi Rama reagoi për rekordin e Evës: “Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord tejet mbresëlënës në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë. Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shprehet Rama. Pas të paharruarit Paolo Pinto, i cili kaloi kanalin e Otrantos më 14 korrik të vitit 1979, shqiptarja Buzo është e para grua që ia del ta kalojë me not kanalin e Otrantos më 19 gusht 2024. Vitin e kaluar ajo ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve me shëndetin.
SFIDA E NOTARES Duke folur për “Panorama Sport”, Eva Buzo ndihet e lumtur për realizimin me sukses të kësaj sfide për të cilën punoi shumë. “Kënaqësi e madhe ta mbyllja me sukses të plotë këtë sfidë që i kisha vendosur vetes. Më është dashur në kohë e gjatë për të punuar për këtë gjë. Madje shumë vite. Kam dashur që të bëja gjithmonë diçka të bukur dhe të veçantë për vendin tim, Shqipërinë. Dua që të falënderoj edhe Bashkinë e Vlorës për mbështetjen që më dha. Ishte shumë emocionuese edhe që në varkë më shoqëroi një ekip bashkëpunëtorësh shqiptar dhe kjo gjë ishte shumë e bukur. Më gëzon fakti se në këto vitet e fundit jam zhvilluar shumë si sportiste. Kjo është një arritje shumë e madhe për mua në aspektin personal dhe profesional”, ka thënë Buzo. Notarja tregon edhe vështirësitë e mëdha gjatë përshkimit me not të itinerarit Leçe-Vlorë. “Gjatë udhëtimit hasa shumë gjëra të ndryshme. Nga uji isha shumë e zbehtë. Është një rënie graduale dhe t’i nuk e dallon dot kur je në ujë. Pra, nëse ishte diçka normale dhe them se gishtërinjtë e mi po ndryshojnë, do të ishim të shokuar dhe do të mërziteshim, por kur ndodh gradualisht, t’i nuk e dallon dot menjëherë. Problematika më e madhe janë rrezet e diellit dhe djegia prej tyre. Edhe trupi gradualisht lodhet dhe njëri krah është më i lodhur se tjetri ose anasjelltas. Por duhet të jesh e fokusuar dhe të mendosh sikur je diku tjetër dhe po relaksohesh që të mos ndiesh lodhjen. Kur po arrinim drejt fundit po ndihesha tepër e frikësuar. Truri po luante lojëra me mua dhe po shihja gjëra të ndryshme. Në fund më duhej të prekja gurët dhe ishte shumë errësirë. Nuk mund të shihja, për shkak se kisha halucinacione. Shikoja gjëra të frikshme. Skuadra po më thoshte të notoja, sepse isha në fund. Jam e lumtur që ia dola”, rrëfen Eva Buzo.
NDERIMI NGA BASHKIA Bashkia e Vlorës ka vendosur që shkëmbi në Karaburun që preku për herë të parë në përfundim të garës notarja shqiptare-australiane, të quhet “Eva”. Gjithçka u konfirmua nga kryebashkiaku, Ermal Dredha, i cili i dorëzoi certifikatën “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, dje gjatë një pritjeje në bashki. “Eva ka vendosur një rekord absolut, duke lidhur dy brigjet tona. Jemi shumë krenarë që edhe ne kemi qenë pjesë e këtij rrugëtimi, duke dhënë kontributin tonë. Në hartën e Shqipërisë ka vendosur një moment të veçantë. Ne duhet t’ia dedikojmë Evës për atë çfarë ka bërë. Në Karaburun aty ku ka prekur, ku ka vënë dorën te shkëmbi, ku ka mbaruar këtë garë të gjatë, do t’ia vendosim emrin ‘Shkëmbi i Evës’. Ka qenë një propozim që e kemi diskutuar të gjithë bashkë, pse jo për të patur edhe një memorie të fortë në atë çfarë është arritur nga Eva. Ndihemi shumë krenarë që kemi një shqiptare-australiane që na nderon. Edhe pse është nga Berati, jam i sigurt që shumë shpejt Eva do të jetë 100 % qytetare e Vlorës”, deklaroi Dredha.
PRESIDENTI I NOTIT Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ia dha kupën Eva Buzos si dhe certifikatën “Mirënjohje e Federatës”, teksa u shpreh: “Kalimi i Otrantos dhe bashkimi i dy brigjeve të Italisë dhe Shqipërisë nga notarja e shquar apo përbindëshi Eva, është për ne një rast i veçantë. Është tentativa e dytë e kalimit të Otrantos. Për herë të parë është bërë një tentativë nga italiani Paolo, i cili nuk arriti dot ta plotësonte kushtin e bashkimit të dy brigjeve dhe këtë gjë e ka arritur notarja shqiptare Eva. Përgatitja fizike, bindja, sakrifica dhe vetëmohimi i saj, është një shembull për t’u marrë, jo vetëm për vlonjatët dhe shqiptarët, por në veçanti për të gjithë sportistët tanë”, u shpreh Çiraku. Gjatë takimit, Eva Buzo u shpreh: “Jam shumë e emocionuar dhe falënderuese për të gjithë ju mbështetësit e mi. Falënderoj bashkinë për mbështetjen dhe gjithë shqiptarët që më duan dhe i dua. Jam shumë e lumtur që arrita t’ia dilja në këtë sfidë”.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













