Nga kryesuese në ndjekëse e kreut, Vllaznia do majën. Shkodranët, mes uljeve dhe ngritjeve të sezonit
Vllaznia e mbylli gjysmën e parë të se zonit të rregullt në Superiore në vendin e 4-ët të Superiores, duke grumbulluar 30 pikë pas 18 javësh. Me shkodranët të cilët po ashtu gjatë kësaj periudhe kanë shënuar 24 gola, duke qenë sulmi i dytë më i mirë pas Dinamos që ka shënuar 27 të tillë.

E teksa kuqeblutë kanë edhe mbrojtjen e 5-të më të mirë të kampionatit, duke pësuar 16 gola pas 18 raundeve të edicionit 2025- 26 të kampionatit. Duke hedhur një sy statistikave, shkodranët nga 30 pikët e marra deri më tani, 19 prej tyre i kanë grumbulluar në fazën e parë të edicionit, ku edhe kryesonin kampionatin. Teksa shkodranët kanë marrë vetëm 11 pikë, duke pasur vetëm 2 fitore në fazën e dytë, duke qenë tashmë në ndjekje të vendit të parë që mbahet nga Egnatia, që ka 7 pikë më shumë se 9 herë kampionët e vendit.
Nga 30 pikët e marra gjatë këtij sezoni, 22 prej tyre kanë ardhur në ndeshjet shtëpiake për kuqeblutë. Ku në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka shënuar edhe 17 gola e po ashtu ka pësuar 6 të tillë, teksa në shtëpi këtë edicion deri më tani ka vetëm 1 humbje 0-1 kundër Teutës në javën e 13-të të kampionatit. Ndërkohë që Vllaznia është ekipi më i mirë përsa i përket ndeshjeve shtëpiake, me shkodranët që ndiqen nga Dinamo dhe Egnatia që kanë marrë nga 18 pikë në duelet si pritës.
E ndërsa një pikë e dobët e skuadrës së Martinit këtë edicion si në fazën e parë edhe në atë të dytë kanë qenë duelet si udhëtues jashtë Shkodrës. Me 9 duelet e zhvilluara jashtë shtëpisë, Vllaznia ka marrë vetëm 8 pikë nga 27 të mundshme, duke shënuar vetëm 7 herë e po ashtu pësuar 10 gola.
Ku Vllaznia njeh vetëm një fitore me rezultatin 0-1 ndaj Bylisit në transfertë, duel i vlefshëm për raundin e 7-të të kampionatit. Këto janë edhe disa nga statistikat që tregojnë uljet e ngritjet e kuqebluve deri më tani këtë edicion. Ku shkodranët tashmë nga kryesues janë shndërruar në ndjekës të kundërshtarëve, të cilët do kërkojë t’i parakalojë në pjesën e dytë të edicionit që do luhet në vitin 2026.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













