BASKET FEMRA/ Shqipëria dominon kundër Gjeorgjisë, në garë për medalje
Shqipëria e basketbollit të femrave ka shënuar dje një fitore të rëndësishme në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, aktivitet që po zhvillohet në Pejë që prej datës 23 qershor.

Vajzat kuqezi mposhtën Gjeorgjinë me rezultatin e thellë 98-78, duke lënë pas krahëve humbjen e pësuar në debutim kundër Maltës, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale si vend i dytë në Grupin A. Kombëtarja, e drejtuar nga trajneri Vladimir Xheka, ishte dominuese në parket, ndërsa mbetet për t’u theksuar edhe niveli tepër modest i përfaqësueses gjeorgjiane.
NDESHJA – Spahiu, Lalaj, Rreshpja, Semanjaku dhe Pëllumbi ishte pesëshja me të cilën startoi Shqipëria, ndërsa perioda e parë dhuroi rivalitet. Gjeorgjia e mori këtë fraksion minimalisht 19-20, ndërsa vajzat kuqezi ndryshuan marsh në çerekun e dytë, ku fituan thellë 27-15, për të shkuar në pushimin e madh me avantazhin 46-35 në shifra të përgjithshme. Gjeorgjianet provuan të rikuperonin në periodën e tretë, të cilën e fituan 18-24, duke ngushtuar në 64-59 pas 30 minutash lojë.
Megjithatë, në çerekun e fundit Shqipëria do të vendoste distancat e sigurisë, duke komanduar totalisht në parket, për ta marrë thellë periodën në shifrat 34- 19, duke e mbyllur të gjithë sfidën me +20 pikë epërsi. Me gjashtë lojtare në kuotë dyshifrore pikësh, vlerësimin MVP e meritoi Ornela Lalaj. Kapitenia e Partizanit bëri diferencën në fushë me tripletë dyshifrore: 16 pikë, 15 kërcime dhe 10 asistime. Performancë “top” edhe nga Bernarda Rreshpja, autore e 25 pikëve, e 3 kërcimeve dhe e 9 asistimeve.
Kështu vajzat kuqezi e mbyllin me festë Grupin A, duke u kualifikuar si vend i dytë për në gjysmëfinale. Shqipërinë tashmë e pret një sfidë speciale përballë Kosovës, takim që do të luhet nesër në orën 19:00 në Pejë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













