Sulmuesi moldav mohon zërat për Egnatian: Nuk më interesojnë thashethemet e mediave
Petrokub do ta nisë sezonin e ri me të njëjtin grup lojtarësh që i siguroi klubit titullin e dytë kampion në Moldavi. Skuadra nga Hînce’ti do të luajë ndeshjen e parë të kampionatit më 28 qershor në fushën e saj ndaj Dacia Buiucani. Trajneri Shota Makharadze u shpreh i kënaqur që ekipi ka ruajtur bazën e sezonit të kaluar.
“Gjëja më e rëndësishme është se kemi ruajtur grupin e lojtarëve nga sezoni i kaluar. Të gjithë futbollistët janë gati për sezonin e ri dhe atmosfera në ekip është shumë pozitive”, deklaroi tekniku.
Moldavët u janë referuar disa mediave shqiptare, që kanë raportuar se sulmuesi Petru Popesku mund të transferohet te Egnatia, pikërisht kundërshtarja e Petrokubit në turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, vetë lojtari ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Nuk më interesojnë thashethemet e mediave. Ne po përgatitemi seriozisht për dy ndeshjet kundër Egnatias dhe shpresojmë të kualifikohemi”, u shpreh Popesku.
Petrokub ka bërë gjithashtu disa afrime për të qenë më konkurrues në Superligën moldave dhe në kupat e Europës. Mes tyre janë portieri Kristian Avram dhe mesfushori ofensiv Mihai Platica.
“Konkurrenca është e dobishme dhe na ndihmon të përmirësohemi. Po punojmë fort në stërvitje për të qenë gati për sezonin e ri”, tha Avram.
Ndërsa Platica theksoi se askush nuk e ka të garantuar vendin në formacion: “Askush nuk ka një vend të sigurt në 11-shen titullare. Më duhet të tregoj se e meritoj të jem mes lojtarëve që nisin ndeshjen”.
PANORAMASPORT.AL













