Nga Hoxha te mbrojtësi dhe Malaj, të veçantat e ekipit të Partizanit
Bilanci i Partizanit për sezonin 2025/26 tregon 34 lojtarë të aktivizuar deri tani. Nga emrat e përmendur në vëzhgimin e “Panorama Sport”, 31 prej tyre kanë fituar minuta në kampionat. Keko, Himallari dhe Vata janë të tjerët, që patën mundësinë të luajnë në Europë dhe jo në Superiore.

Keko për shkak të dëmtimit, ndërsa dy 16-vjeçarët nuk janë llogaritur për minuta dhe pse Himallari është treguar i gatshëm në stol. Partizani ka disa emra të veçantë, ndërsa bie në sy edhe se lojtari me më tepër minuta në kampionat nga të kuqtë, është pikërisht i 36-ti në renditjen e përgjithshme të lojtarëve për minuta. Bëhet fjalë për David Atanaskoski.
MBROJTËSI- Kapiteni i ndeshjeve të fundit te Partizani numëron 1350 minuta në kampionat deri tani. Askush nuk ka luajtur më tepër nga të kuqtë në Superiore. Fakt është që mban vendin e 36- të në listën e minutave, të të gjithë lojtarëve në Superiore. Kjo tregon edhe vështirësitë që Partizani ka hasur me dëmtimet dhe jo vetëm.
HOXHA- Alban Hoxha numëron katër paraqitje në këtë sezon, që i përkasin Superiores. Partizani pati periudhë të vështirë asokohe me Milinkoviç. Kështu u regjistruan humbje ndaj Vllaznia, Elbasanit, Bylisit dhe Tiranës. Hoxha pësoi 10 gola gjatë këtyre ndeshjeve, ndërsa Partizani shënonte vetëm dy herë. Më pas erdhi edhe shkarkimi i trajnerit serb.
MALAJ- Partizani aktivizoi tre talente nga akademia në Europë, por edhe në “Final Four”. Minutat në kampionat kanë munguar për Dion Vata dhe Elson Himallarin, por jo për Tedi Malajn. Ky i fundit u aktivizua në kampionat, duke qenë pikërisht 18 vjeç, 1 muaj dhe 28 ditë. Lojtarë më të rinj të aktivizuar për këtë edicion në Superiore janë Petro Marku, Armir Boriçi, Grei Kuqi, Serxho Vogli dhe Emiljano Mihana.
PANORAMASPORT.AL













