Nga golat në Nigeri në Superiore, talentit të harruar te Partizani i jepet mundësia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2025 | 22:58

Nga golat në Nigeri në Superiore, talentit të harruar te Partizani i jepet mundësia

Kazim Ogunleje është talenti i harruar te Partizani, i cili ra në sy së fundmi. Fantazisti 19-vjeçar u rikthye në vëmendje te dy ndeshjet e fundit, ndërsa të kuqtë humbën ndaj Egnatias dhe Dinamos. Debutimi i tij në kampionatin e rregullt, pasi më parë kishte luajtur në Final Four me Dinamon, erdhi pikërisht ndaj Egnatias.

Screenshot 2025-12-27 204317

Ishte minuta e 87-të, kur Kërnaja e aktivizoi në vendin e Janjevës. Vetëm disa minuta më vonë dërgoi topin në rrjetë, duke shtangur Dajsinanin. Përballë Dinamos ndërkohë në javën e fundit iu dha vendi në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Kontrerasin. Ogunleje luajti 45 minuta dhe pati dy raste të mira për gol. Mesfushori fillimisht nuk goditi si duhet në fillimin e pjesës së dytë. Episodi kulminant u regjistrua në minutën e 85-të. Ogunleje shtangu prapavijën e Dinamos, për t’u vendosur përballë portierit Teqja.

Nigeriani i kishte të gjitha mundësitë që të shënonte vetë, duke qenë se portieri i Dinamos dukej i mposhtur. Ogunleje u tregua më altruist se duhet, duke pasuar për Xhuliano Skukën. Ky i fundit po qëndronte më i avancuar. Kështu goli i realizuar u bë i pavlefshëm nga VAR, dhe për këtë Dinamo ishte me fat. Me pak minuta në këmbë, impakti i Ogunlejes është parë. Deri tani qëndronte duke kontribuar për ekipin B, dhe mungesa e tij është ndjerë jo pak në Kategorinë e Dytë. Fat për të riun ishin mungesat e Hjumen, Doumbias dhe Jatës.

NIGERIA- Partizani pagoi për kartonin e Ogunlejes tek Enugu Rejnxhërs në elitën e futbollit nigerian. Dhe pse ishte vetëm 18 vjeç, Ogunlejen e konsideruan mesfushorin ofensiv më të mirë për vitin 2024. Statistika më e veçantë prej tij ishin shtatë golat e realizuar direkt nga goditja e dënimit asokohe.

FIRMA- Partizani e prezantonte Ogunlejen në fillimin e marsit të këtij viti. Koha e shkurtër bëri që të jetë jashtë llogarive për edicionin e kaluar. Nigeriani ndërkohë ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, me opsion rinovimi edhe një vit tjetër. Pavarësisht se hapërisat te Partizani mungonin, Nigeria U-20 e merrte në kamp përpara Botërorit U-20. Ogunleje ishte pafat, pasi për shkak të shqetësimeve që pati u kthye në Shqipëri.

PANORAMASPORT.AL