Nexhipi dhe lidhja me Partizanin: Derbi nuk harrohet, akoma më quajnë kapiten
Një nga të ftuarit specialë në eventin e Partizanit për festën e 80-vjetorit, ishte edhe ish-kapiteni i Partizanit, Nderim Nexhipi. Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport” theksoi se periudha e kaluar në kryeqytet me të kuqtë është një nga më të mirat e karrierës së tij ndërsa shtoi se tifozët i mbajnë ende mend në derbi duke thënë se në Tiranë, por edhe në Shqipëri, ende e thërrasin me epitetin, kapiten.

“Unë e theksoj që periudha te Partizani, dy vitet aty, ndoshta kanë qenë më të bukurat të karrierës sime. E kam shijuar në maksimum çdo gjë, Partizani sapo ishte kthyer nga kategoria e parë dhe përpos atyre problemeve që kishte, aty dy vitet ishin fantastike. Kemi bërë ndeshje të jashtëzakonshme dhe patjetër më pas ato derbit kur shënon gola, tifozët nuk i harrojnë asnjëherë.
Kanë kaluar gati 10 vite, jemi prezent në këtë 80-vjetor, është kënaqësi, i uroj të gjithë tifozët, klubin. Unë e them gjithmonë, urime legjendës së kuqe. Për ne është vërtet një periudhë e jashtëzakonshme edhe e mbaj mend, e sa herë vij në Tiranë, por jo vetëm, në çdo cep të Shqipërisë akoma e kemi atë epitetin kapiten. E them që është shumë kënaqësi dhe një nga periudhat më të mira të jetës e kam kaluar këtu”, tha Nexhipi.
PANORAMASPORT.AL













