Nevil Dede dhe firma në momentin e duhur, kampion me një mbyllje perfekte të sezonit
Edhe pse mori drejtimin e Egnatias vetëm në fund të sezonit, kontributi i Nevil Dedes në fazën vendimtare të kampionatit rezultoi i jashtëzakonshëm.

Trajneri 50-vjeçar u ul në stolin e rrogozhinasve për dy ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt dhe më pas drejtoi skuadrën në tre sfidat e “Final Four”, duke e mbyllur aventurën e tij të parë me klubin me titullin kampion të Shqipërisë. Në dy ndeshjet e kampionatit të rregullt, Dede regjistroi një bilanc prej 1 fitoreje dhe 1 humbjeje. Egnatia shënoi 4 gola dhe pësoi 3, duke grumbulluar 3 pikë, me një mesatare prej 1.50 pikësh për ndeshje.
Edhe pse kampioniati i rregullt ishte praktikisht i mbyllur, këto takime i shërbyen trajnerit për të njohur më mirë skuadrën dhe për të përgatitur ekipin për sfidën më të rëndësishme të sezonit, “Final Four”. Aty ku duhej të bënte diferencën, Dede nuk gaboi. Në tre ndeshjet e fazës finale, Egnatia arriti tre fitore në tre takime, duke realizuar një ecuri perfekte. Skuadra shënoi 8 gola dhe pësoi vetëm 1, ndërsa grumbulloi 9 pikë nga 9 të mundshme, me mesataren maksimale prej 3 pikësh për ndeshje.
Më shumë se rezultatet, ajo që ra në sy ishte mënyra se si luajti Egnatia në momentet vendimtare. Rrogozhinasit u shfaqën më agresivë, më efikasë në sulm dhe shumë të sigurt në repartin mbrojtës. Në vetëm tre ndeshje të “Final Four”, skuadra realizoi po aq fitore sa disa rivalë nuk arritën në të gjithë fazën finale.
SHIFRAT – Statistikat e Dedes në krye të Egnatias janë mbresëlënëse. Në total, ai drejtoi ekipin në 5 ndeshje (pa llogaritur finalen e Kupës që e humbi me Dinamon), duke regjistruar 4 fitore dhe 1 humbje. Skuadra shënoi 12 gola dhe pësoi vetëm 4, ndërsa grumbulloi 12 pikë nga 15 të mundshme. Mesatarja prej 2.40 pikësh për ndeshje dhe golavarazhi +8 tregojnë qartë ndikimin e trajnerit në fundin e sezonit.
Në aspektin simbolik, suksesi ka një peshë të veçantë edhe për vetë Deden. Ish-mbrojtësi i njohur i futbollit shqiptar fitoi për herë të parë titullin kampion si trajner, duke hyrë menjëherë në historinë e Egnatias. Ai mori drejtimin e skuadrës në momentin më delikat të sezonit dhe arriti ta çojë deri te trofeu më i rëndësishëm në futbollin shqiptar. Nëse Edlir Tetova ndërtoi bazat e një skuadre kampione gjatë gjithë sezonit, Nevil Dede ishte njeriu që e drejtoi Egnatian në sprintin final, duke e mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Me tre fitore në “Final Four” dhe me titullin kampion në duar.
PANORAMASPORT.AL













