Në pikun e sezonit, kampionët marrin komandën e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2025 | 19:55

Në pikun e sezonit, kampionët marrin komandën e Superiores

Egnatia ka arritur më në fund atë që prej javësh ishte duke e ndërtuar hap pas hapi: të ngjitet në krye të renditjes dhe ta bëjë këtë e vetme, pa pasur më asnjë rival në krah. Një arritje që vjen në një moment kyç të sezonit, aty ku skuadrat nisin të ndahen mes atyre që mbajnë ritmin dhe atyre që dorëzohen përballë presionit.

egnat

Mesa duket, kampionët në fuqi kanë zgjedhur kohën e duhur për të rritur intensitetin dhe për të shfaqur versionin e tyre më të fortë. Pikërisht në pikun e sezonit, kur forma maksimale bëhet vendimtare, Egnatia ka nisur të sillet si skuadra që di të menaxhojë jo vetëm lojën, por edhe garën për titull.

KREU, MESAZH PËR RIVALËT – Java e 17-të shënon një moment simbolik dhe praktik njëkohësisht. Për herë të parë këtë sezon, Egnatia nuk ndan më vendin e parë me askënd. Kreu i tabelës ka vetëm një emër dhe ky fakt përfaqëson më shumë se tri pikë: është një mesazh i qartë force për të gjithë rivalët. Në një kampionat të ekuilibruar, ku diferencat kanë qenë minimale dhe lufta për kryesimin e vazhdueshme, aftësia për t’u shkëputur, qoftë edhe përkohësisht, tregon stabilitet, pjekuri dhe besim në forcat e veta. Egnatia, në këtë fazë, ka arritur t’i lërë pas të gjithë dhe t’u “lërë targën” kundërshtarëve, duke marrë edhe një avantazh të rëndësishëm psikologjik.

KRYESIMET E PËRKOHSHME – Edhe pse kryesimi aktual ka një shije të veçantë, Egnatia nuk është e panjohur me majën e renditjes këtë sezon. Në 17 javë kampionat, rrogozhinasit kanë qenë edhe dy herë të tjera në vendin e parë, por gjithmonë në bashkëpronësi me skuadra të tjera. Në javën e gjashtë, Egnatia ndante kryesimin me Vllazninë, në një fazë ku kampionati ishte ende në kërkim të identitetit të tij.

Më pas, në javën e 13-të, ishte Elbasani ai që qëndronte krah për krah me kampionët në fuqi, duke mbajtur garën për kreun të hapur dhe pa një lider të qartë. Ndryshe nga ato momente, java e 17-të sjell një realitet të ri: këtë herë, Egnatia qëndron e vetme në krye, pa llogari pikësh me askënd tjetër. Me pak fjalë, kjo është hera e tretë që rrogozhinasit kampin kreun, por këtë herë krejtësisht të vetëm në majë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL