Ndryshime në formacion, Partizani gati për Bylisin. Të kuqtë kërkojnë të rikthehen te fitorja para derbit
Partizani do të përballet të shtunën me Bylisin. Transferta në Ballsh është e vlefshme për javën e katërt të Superiores dhe do të nisë në orën 16:00. Ndryshimet janë të sigurta nga sfida me Elbasanin. Bazuar në këtë fakt, “Panorama Sport” iu sjell formacionin e mundshëm. Do të jetë hera e pestë, që Milinkoviç rreshton 11-she tjetër në fushë.
NDRYSHIMET- Partizani me shumë gjasa do të ketë ndryshime që nga porta. Pano Qirko ka kaluar virozën dhe më pas dëmtimin, që bënë të qëndronte jashtë për dy javë. 26-vjeçari do të merrte vendin e kapitenit Hoxha, që edhe pse pësoi 5 gola me Vllazninë dhe Elbasanin bëri disa pritje të tjera të rëndësishme. Qirko në anën tjetër ka kujtimin e sfidave me Vorën dhe Teutën, kur porta qëndroi e paprekur. Ndryshim i detyruar është ai në qendër të mbrojtjes. Altin Bytyçi u ndëshkua me karton të kuq dhe me shumë gjasa do të zëvendësohet nga Janjeva. Ky i fundit shpesh ka sakrifikuar në krahët e mbrojtjes për të kuqtë, ndërsa këtë herë do të aktivizohet në pozicionin e tij natyral. Krah Janjevës do të vendoset Preka, i vetmi që mund të thuhet me siguri duke qenë edhe me minuta të plota nga Milinkoviç. Në krahët e mbrojtjes, Marku dhe Atanaskoski duket se kanë blindur vendin e tyre.
MESFUSHA DHE SULMI- Ismaili dhe Mehmeti kanë qëndruar para mbrojtjes deri tani. Dyshja e shqiptarëve të Kosovës po ashtu pritet ta nisin nga minuta e parë, edhe pse ndonjë ndryshim nuk do të ishte surprizë. Njëjtë mund të thuhet edhe për pjesën tjetër të formacionit. Isgandarli, Gudjufi apo Bintsuka nuk e kanë vendin e sigurt pas takimit me Elbasanin. Trajneri Milinkoviç madje bëri dy ndryshime në fundin e pjesës së parë me verdheblutë, pikërisht Gudjufin dhe Bintsukën. Për pozicionet e tyre qëndrojnë gjithmonë të gatshëm për të startuar Toma, Qokthi dhe Garsia. I vetmi që duket se do e ketë vendin e sigurtë pas performancës së fundit është Rouen Hjumen. Fantazisti dha sinjale mjaft pozitive, ndërsa ishte edhe futbollisti që përshkoi më tepër distancë, konkretisht mbi 11 kilometra. Ndryshimet me pikatore pritet të sjellin edhe fitoren. Fakt është që Partizani nuk mund të bëjë hap tjetër fals në Ballsh, pasi do të ndikonte drejtpërdrejt në vazhdimësinë.
VRAPIMET- Skuka, Çipi, Sembene, Shanaj dhe Jata janë të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës. Aktualisht në stërvitje angazhohen me vrapimet rreth fushës. Sembene ndërkohë pritet që shumë shpejt të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës. Jata është edhe risia e madhe. Pas rreth pesë muajsh është rikthyer nga Gambia. Mesfushori duhet të bëjë maksimumin, që të spikasë para Milinkoviç. Aktualisht është futbollisti i fundit i afruar për të. Dhe pse potenciali i 19-vjeçarit konsiderohet i madh, deri tani nuk ka arritur ta shfaqë me ekipin e parë. Sinjal pozitiv është se po qëndron para syve të Milinkoviç. Më pas me shumë gjasa minutat e para do i marrë tek ekipi B. Projekti aty synon ngjitjen në Kategorinë e Parë. Dhe pse objektivi është i vështirë, te Partizani nuk e shohin të pamundur përballë ekipeve me më histori në kategoritë inferiore.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













