Ndeshja e gjashtë për këtë sezon, “demat” sfidojnë “tigrat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2026 | 14:11

Ndeshja e gjashtë për këtë sezon, “demat” sfidojnë “tigrat”

Partizani udhëton këtë javë në transfertë, ku do të përballet me Elbasanin. Sfida ndaj verdhebluve pritet të jetë një “lojë shahu” në fushë, kjo jo vetëm se asnjë prej skuadrave nuk do të dojë të humbasë ndeshjen në këtë pikë delikate të sezonit, por edhe për vetë faktin se skuadrat njihen mirë me njëratjetrën, duke qenë se në këtë sezon janë ndeshur në pesë raste, pasi palët u përballën edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, aty ku Elbasani doli fitimtar duke u kualifikuar për më tej.

elbasani-partizani

Në fakt, bilanci total në përgjithësi flet për Elbasanin e trajnerit Ivan Gvozdenovic. Në ndeshjet e kampionatit, Elbasani ka fituar përballjen e parë 0-1 në “Arenën e Demave”, ndërsa në dy sfidat pasardhëse të Superiores janë regjistruar dy barazime, i pari 0-0 në Elbasan dhe më pas 2-2 në kryeqytet. Ndërkohë, në mes janë edhe dy takimet e Kupës së Shqipërisë, ku Partizani fitoi në përballjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” me rezultatin 0-1, por më pas u mposht në shtëpi me shifrat 3-1, duke u eliminuar.

Në këtë formë, edhe ky takim i fundit për këtë sezon mes skuadrave pritet të dhurojë duele dhe garë të fortë sportive. Të dyja skuadrat vijnë nga humbja në ndeshjet e fundit të kampionatit, me Partizanin që u mposht nga Vllaznia dhe Elbasanin që humbi me Dinamon, ndaj një fitore do të rikthente secilën skuadër në shinat e duhura. Skuadrat zbresin në fushë me objektiva të ndryshëm, teksa Elbasani do të tentojë të mbajë hapin e Vllaznisë e të Egnatias, duke qenë se për momentin verdheblutë kanë “rrëshqitur” në vendin e tretë të klasifikimit, me tre pikë më pak se shkodranët dhe një pikë më pak se rrogozhinasit.

Nga ana tjetër, Partizani kërkon të mbrojë vendin e katërt, pasi Dinamo e vendit të pestë është vetëm një pikë pas tyre, e njëkohësisht të marrë edhe fitoren e parë në kampionat përballë Elbasanit. Kujtojmë se në këtë takim, kryeqytetasit do të vuajnë mungesën e David Atanaskoskit, i cili u ndëshkua me kartonë të verdhë në takimin ndaj Vllaznisë, duke koleksionuar katër të tillë dhe në këtë formë do të jetë i pezulluar për sfidën me Elbasanin. Pritet që vendin e Atanaskoskit në krahun e majtë të mbrojtjes ta “trashëgojë” Paulo Buxhelaj, i cili në fakt ka bërë mirë sa herë që është thirrur në apel. Ndërkohë, Partizani nuk do të ketë në stol as trajnerin Oltijon Kërnaja, i cili u ndëshkua me të kuq ndaj Vllaznisë dhe do ta ndjekë skuadrën e tij nga tribuna, ndërsa drejtimi i ekipit në fushë do t’i kalojë Real Zhivanajt. Ndeshja mes Elbasanit dhe Partizanit është në program për t’u zhvilluar të hënën, më 13 prill, duke nisur nga ora 19:00.

PANORAMASPORT.AL