Ndarja nga jeta e legjendës shkodrane, Alen Sherri dedikim prekës: Prehu në paqe mjeshtër, fjalët janë shumë pak…
Futbolli shqiptar humbi dje një tjetër emër shumë të njohur që ka bërë historinë në vendin tonë, duke qenë për shumë vite një nga emrat më të spikatur, portierin shkodran Paulin Ndoja.
Ai u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare në Itali, ku jetonte kohët e fundit. Ndoja ka qenë pjesë e brezit të artë të futbollit shkodran në vitet ’60-‘70 përkrah emrave si Zhega, Rragami e Bizi, ndërsa përveç fushës së lojës, ka qenë edhe një trajner që ka përgatitur brezat pasardhës.
Ndërkohë për këtë lajm të trishtë ka reaguar edhe portieri shkodran, Alen Sherri i cili luan për klubin e Serisë A, Kaljari. Përmes një postimi në “InstaStory”, ai shkruan se: “Fjalët janë shumë pak për të treguar se sa shumë më ke mësuar dhe sa shumë më ke ndihmuar. Dheu i lehtë profe dhe faleminderit për çdo gjë. Prehu në paqe mjeshtër!”
Rikujtojmë që Paulin Ndoja, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”, ka qenë kampion dhe fitues i Kupës me Vllazninë, ndërsa në vitet ’70 ishte një nga futbollistët që u largua nga fusha e lojës për çështje biografie. Megjithatë, ai nuk u nda nga futbolli, por u kthye si trajner portierësh, duke u kthyer në një mësues për shumë breza.
PANORAMASPORT.AL













