Naftëtari-Tomori, ja të veçantat e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2015 | 9:43

Naftëtari-Tomori, ja të veçantat e derbit

Naftetari ekipNjë ndër sfidat më interesante të Kategorisë së Parë pritet të jetë derbi i Prefekturës së Beratit, i cili mungonte që prej 2008-ës dhe përballja u rikthye mes Tomorit dhe Naftëtarit këtë vit. Në fazën e parë, Naftëtari i surprizoi të gjithë me fitoren e arritur në Berat.

Situata në klasifikim ka ndryshuar shumë, pasi Tomori nuk gjendet më në ato pozicione komode si në fazën e parë. Po ashtu ka ndryshime edhe në pankina, pasi aktualisht skuadrat drejtohen nga teknikë vendës, ndryshe nga vlonjatët Memushi dhe Bifsha që drejtonin skuadrat respektive gjatë fazës së parë. Ndeshja mes këtyre dy skuadrave është cilësuar si derbi më i nxehtë i kësaj prefekture, pasi skuadrat e tjera të këtij qarku kanë pasur rol dytësor në sfidat direkte.

Tomori merr pjesën e luanit si në arritjet që ka në futbollin shqiptar, ashtu edhe në sfidat direkte, por nuk kanë munguar as periudhat kur Naftëtari ka provuar të mbajë flamurin e futbollit në këtë qark. Në të kaluarën, shumë emra kanë bërë lëvizjen e tyre në aksin Berat-Kuçovë duke provuar të luajnë për të dy fanellat. L.Kuçova, B.Sulejmani, D.Dume apo G.Gega janë disa prej këtyre emrave që kanë një histori të ndërtuar te të dy këto skuadra. Por, ish-ët nuk mungojnë as në këtë sezon, pasi Naftëtari drejtohet nga dyshja Kanani-Dume që si futbollistë kanë provuar eksperiencën e tyre te Tomori.

Ndërsa në fushë A.Gega, Daci, Lapardhaja dhe Hadaj për Naftëtarin dhe Vashaku, Avdo, Kuci e Dervishi për Tomorin do të kenë një sfidë me të kaluarën në këtë takim. Për sa u përket dy tifozërive, ato janë ndër më të zjarrtat dhe kanë treguar se afërsia gjeografike bën që stadiumi të mbushet plot në të tilla sfida.