Musta paralajmëron: E fortë kundër Teutës, por Elbasani mund t’ia dalë me sukses
Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë nesër në “Elbasan Arena” përballë Teutës. Bëhet fjalë për një përballje direkte, ndaj në kampin verdheblu e kanë vlerësuar maksimalisht.

Për mediat, në lidhje me këtë takim foli një ish-i durrsakëve, Emiljano Musta. Ai shpreson që të bëjnë më të mirën, edhe për faktin se skuadra është e plotë në këtë përballje. “Edhe ne si të gjitha skuadrat e tjera vijmë pas disa pushimeve të shkurtra. Jemi stërvitur mirë gjatë kësaj kohe dhe ekipi ka punuar me ritme mjaft të mira. Për fat nuk kemi as dëmtime. Ekipi është i plotë, ndaj shpresojmë që të bëjmë më të mirën ndaj Teutës”, u shpreh fillimisht mbrojtësi elbasanas që në të kaluarën ka mbajtur veshur edhe fanellën e “djemve të detit”.
RIVALITETI – Për vetë pozitat që mbajnë skuadrat në klasifikim, tregon se gjasat janë që të jetë një sfidë e rivalizuar në fushë. Për më tepër që pas tri ditësh ata do të kenë edhe një përballje në Kupë, duke e bërë edhe më të nxehtë rivalitetin mes tyre. Musta ka besim se në fund do të jetë Elbasani ai që do ta fitojë këtë duel, ndonëse e sheh Teutën një skuadër eksperte të Superiores.
“Teuta është një ‘kockë e fortë’, sepse bëhet fjalë për një ekip që luan në Superligë edhe e njeh mjaft mirë kampionatin. E di se çfarë kërkon në ndeshjet e saj, sidomos kur luan në transfertë. Mendoj se do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, sepse edhe me pikë jemi aty-aty dhe në të njëjtat pozita. Shpresoj që të fitojë Elbasani në fund, por është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda. Janë dy skuadra që luftojnë për vendin e katërt dhe jemi me objektiva të njëjta. Pas tri ditësh luajmë edhe në Kupë dhe në njëfarë mënyre duhet ta studiojmë paksa edhe për ndeshjen e Kupës”, vijoi më tej një nga futbollistët kryesorë në ekipin verdheblu.
AFRIMET – Edhe pse nuk i takon shumë të flasë për pjesën e afrimeve, ai i përgjigjet “ngacmimit” rreth dy prurjeve të reja. Ka besim se do të sjellin në Elbasan eksperiencën nga kampionatet e huaja. “Sa i përket afrimeve të reja, është pjesë që i takon stafit dhe drejtuesve që mendojnë për të forcuar skuadrën. Por shpresoj që të na ndihmojnë sa më shumë, sepse janë djem që vijnë nga kampionate të huaja dhe shpresoj t’i japin më shumë eksperiencë ekipit dhe të na ndihmojnë për të arritur objektivat”, mbylli prononcimin e tij për mediat, Emiljano Musta. Deri më tani ai është aktivizuar gjithnjë titullar në 13 takime dhe ka arritur të shënojë edhe dy gola për elbasanasit, duke u kthyer në një lider në repartin e prapavijës.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













