MOVIOLA E SUPERIORES, JAVA E 31-TË/ Koçi gabon rëndë, Rusta i mohon penalltinë Vllaznisë
Andi Koçi tregoi edhe njëherë se nuk është në nivelin e duhur për të gjykuar një ndeshje në Superiore.

Andi Koçi dhe kapiteni i Tiranës, Përgjoni
Një gabim i rëndë në ndeshjen Tirana-Bylis, ndërsa protagonist është bërë edhe Emanuela Rusta, e cila vendoste drejtësi në një takim të rëndësishëm si Egnatia-Vllaznia, ku mungon një penallti. I dyshimtë edhe vendimi i Albert Dodës, i cili pasi akordoi faull për portierin në golin e shënuar nga Toma, e ktheu në VAR duke akorduar gol. Raste të dyshimta kishte edhe Partizani-Dinamo, ku Xhaja ishte kryesor, ndërsa qetësi në sfidën mes Laçit dhe Elbasanit.
TIRANA-BYLISI 2-2
Gjyqtarë: A. Koçi, R. Mersinasi, D. Kasa; VAR: J. Xhaja; AVAR: E. Koçiaj
67′ Gjyqtari Koçi jep fillimisht karton të verdhë për Përgjonin pas një rrëzimi në zonë. Më pas, ai ftohet të shohë pamjet në VAR dhe shquan një mbajtje ndaj lojtarit të Tiranës, duke akorduar 11-metërsh. Penalltia është, por nuk mund të jepet. Gabimi është i VAR-it dhe gjyqtarit. Nëse Koçi ka dhënë faull për Bylisin, VAR-i nuk mund të ndërhyjë. Standard i vendosur në Tirana-Egnatia 0-4. Thjesht gafë e rëndë e VARit, ku bënte pjesë gjyqtari më i mirë në Shqipëri Juxhin Xhaja dhe e Andi Koçit në fushë.
EGNATIA-VLLAZNIA 2-2
Gjyqtarë: E. Rusta, M. Qose, E. Doda; VAR: E. Jorgji; AVAR: K. Barjamaj
Është e vështirë të gjesh një rast kur kryesorja Emanuela Rusta nuk është bërë protagoniste, megjithëse në një takim të rëndësishëm mes vendit të parë dhe të tretë, ishte caktuar pikërisht ajo. Në këtë ndeshje, mungon një penallti në minutën e 55-ë për Vllazninë, ku Dylis godet këmbën e Mensah. Rasti nuk shihet as në VAR dhe për më tepër mbrojtësi i Egnatias ngre me forcë Mensah, që të paktën ishte një veprim që duhet të ndëshkohej me karton të verdhë.
62′ Lushkja jep një pasim të shkëlqyer për Bakajoko, i cili shmang edhe portierin e shënon, por goli anulohet për pozicionin jashtë loje të sulmuesit. Vendim i drejtë nga anësori.
71′ Gruda niset drejt zonës dhe pastaj rrëzohet pas një kontakti me Jahajan. Gjyqtarja Rusta jep penallti, ndërsa vijërojtësi sinjalizon pozicion jashtë loje. VAR-i më pas sinjalizon të drejtë vendimin e anësorit dhe anulon penalltinë e dhënë nga Rusta. Vendim i teknologjisë.
88′ Penallti për Vllazninë. Deliu hyn në zonë dhe pas një kontakti me Uotlain rrëzohet. Gjyqtarja Rusta akordon 11- metërsh. Vendim i drejtë.
DINAMO-PARTIZANI 1-0
Gjyqtarë: J.Xhaja, A.Zalla, A.Koçiaj (Tiranë), VAR: O.Ferataj (Patos), AVAR: S. Dyrmishi (Elbasan);
Ndeshja mes Dinamos dhe Partizanit në “Elbasan Arena” u gjykua nga Juxhin Xhaja, i cili pati të bënte me disa raste të dyshimta. Shumë i lehtë rrëzimi i Zabërgjës në zonë, ndërsa Xhaja ka vendosur drejt duke mos akorduar penallti. Ndërkohë në fund, Aliji ndërhyn nga mbrapa gabimisht ndaj Bintsukës. Kryesori akordon 11-metërsh dhe nga pamjet shihet disi që ka një pengim të sulmuesit të Partizanit.
30′ Zabërgja kontrollon një top në zonë dhe rrëzohet në duel me Prekën dhe Kekon. Xhaja vijon lojën, teksa edhe VAR vendos të mos ndërhyjë. Ka një tendencë të Zabërgjës për të rrëmbyer penallti, por edhe kontakti është prezent, por shumë i lehtë.
36′ Dinamo shënon me Jonuzin, por Xhaja e anulon golin për pozicion të parregullt të Vilës gjatë aksionit. Pamjet i japin të drejtë anësorit, sulmuesi i bluve është pak më i avancuar.
90+3′ Bintsuka rrëzohet në zonë në një duel me Alijin, me Xhajën, që nuk heziton dhe akordon penallti. Momenti është shumë i dyshimtë dhe pamjet e dobëta nuk ndihmojnë aspak për të dhënë një vlerësim, por shihet pak që sulmuesi mund të jetë penguar nga Aliji.
TEUTA-SKËNDERBEU 1-0
GJYQTARË: A.Doda, G.Cenolli (Tiranë), T.Kasa (Vlorë); VAR: E.Hamiti (Lezhë), O.Kuka (Tiranë)
Ndeshja mes Teutës dhe Skënderbeut gjykohej nga arbitri Doda, ndërsa ndihmës asistentë ishin Cenolli dhe Kasa, ndërsa në VAR, Hamiti dhe Kuka. Rasti i parë për moviolë në këtë duel ishte goli i shënuar nga Toma i Teutës. Gjyqtari fillimisht akordon faull sepse sulmuesi ndërhyn rrezikshëm me taka drejt portierit, i cili i tregon edhe shenjat në krah Dodës, ndërsa, pasi e thërret sistemi VAR, kryesori ndryshon mendim. Nuk ka faull në dëm të portierit dhe e akordon golin si të rregullt. Nëse shohim pamjet, duket qartë që Toma ndërhyn me taka dhe krijon lojë të rrezikshme ndaj portierit Alia.
45+2′ Skënderbeu pretendon për prekje me dorë të topit në zonë, por aksioni ishte i parregullt për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë.
45+5′ Korçarët shënojnë me Bismark, por sulmuesi është më i avancuar sesa mbrojtja. Nga pamjet shihet qartë.
LAÇI – ELBASANI 0 – 1 (nuk ka moviolë)
GJYQTARË: D. Grimci (Shkodër), E. Gjoka, F. Kolleshi (Lezhë); VAR: A. Beqiraj (Tiranë), AVAR: A. Doda (Tiranë).
PANORAMASPORT.AL













