MOVIOLA E SUPERIORES/ Hamiti për rekord në derbi, mungon një i kuq në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2025 | 17:51

MOVIOLA E SUPERIORES/ Hamiti për rekord në derbi, mungon një i kuq në Korçë

Dy ishin ndeshjet e kësaj jave, ku për arbitrat në fushë dhe për teknologjinë pati më shumë punë, derbi Partizani-Tirana dhe sfida Skënderbeu-Laçi. Eldorjan Hamiti duket se e menaxhoi mirë tensionin në fundin e derbit, ndërsa Yzeiraj në Korçë gaboi te kartoni i Rashicës dhe një rast tjetër me protagonist Bismark. Tri ndeshjet e tjera patën pak ose aspak episode të diskutueshme.

Momenti kur Hamiti nis ndëshkimet me kartonë të kuq në derbi FOTO: F.HAZISLLARI

Momenti kur Hamiti nis ndëshkimet me kartonë të kuq në derbi
FOTO: F.HAZISLLARI

PARTIZANI-TIRANA 1-1
GJYQTARË: E.Hamiti (Lezhë), I.Tartaraj (Fier), E.Burgu (Fushë-Krujë), VAR: A.Doda (Tiranë), AVAR: K.Barjamaj (Tiranë)
Ndeshja në fushë mes Partizanit dhe Tiranës u pa të menaxhohej relativisht mirë nga kryesori Eldorjan Hamiti, i cili nuk pati nevojën e VAR-it dhe arriti të ruajë shumë mirë ekuilibrat. Ka dyshime për dy raste, kur Ernest dhe Janjeva mund të ndëshkoheshin me të kuq nga lezhjani, por ai mbajti të njëjtin standard. Me dorë të hekurt veproi në fund, duke nxjerrë plot 8 kartonë të kuq pas përplasjes mes dy skuadrave në fushë.
3′ Qirko largon një top nga fusha, vjen me shpejtësi Ernest që e plas në tokë dhunshëm portierin, i cili duhet të marrë ndihmën mjekësore. Hamiti jep të verdhë për Emanuel, por kontakti ishte në kufijtë e të kuqit.
7′Janjeva ndërhyn ashpër ndaj Përgjonit, me një bërryl të hapur. Hamiti edhe në këtë rast akordon të verdhë dhe vepron drejt.
90′ Shënon Partizani dhe më pas ka përplasje fizike mes lojtarëve të dy skuadrave dhe stafeve të tyre. Në këtë situatë Hamiti vendos të tregohet arbitër me dorë të hekurt, duke nxjerrë plot 8 kartonë të kuq. Në momentet e një sherri masiv, i ndihmuar edhe nga VAR-i, Hamiti nuk fal asnjë dhe i lë skuadrat me nga 9 lojtarë në fushë, teksa nuk shpëtuan as drejtues e lojtarë në stol. Te Tirana u ndëshkua Ibraimi, Kozi dhe Mici në stol, ndërsa te Partizani e pësoi Bytyçi. Me siguri ky është një nga derbet ku janë dhënë më shumë kartonë të kuq, teksa me siguri do të ketë vendime edhe nga Komisioni i Disiplinës. Me atë çfarë ka parë dhe sa është informuar nga ndihmësit e tij, kryesori duket se ka dhënë vendimet e drejta në një situatë shumë të komplikuar.

SKENDËRBEU-LAÇI 0-2
GJYQTARË: O.Yzeiraj (Patos), R.Avdo, Xh.Mani (Tiranë); VAR: F.Lata (Durrës), AVAR: E.Bylykbashi (Elbasan)
Në këtë takim që gjykohej nga Olsion Yzeiraj kishte dy raste për moviolë dhe në të dyja rastet ai ka gabuar.
59′ Ka një faull të ashpër në kohë vonesë të Rashicës, i cili ndërhyn nga mbrapa në dëm të Kurtit të Laçit. Yzeiraj e ndëshkon lojtarin e Skënderbeut me karton të verdhë, por pas një minute është Lata nga VAR-i që thërret gjyqtarin e fushës për të riparë rastin. Nga pamjet shihet që Rashica bën lojë të rrezikshme dhe ngjyra e kartonit ndryshon, duke u ndëshkuar me të kuq.
88′ Topi luhet në mbrojtjen e Skënderbeut, kurse sulmuesi Bismark godet me kokë në gjoks mbrojtësin e Laçit, Lima. Nuk ka komunikim mes gjyqtarëve dhe as ndërhyrje nga VAR-i, pasi sulmuesi bën një gjest të ndëshkueshëm me karton të kuq.

ELBASANI-EGNATIA 1-2
GJYQTARË: J.Xhaja, M.Shazivari (Tiranë), E.Mehmetaj (Ballsh) VAR: K.Cjapi (Fier); AVAR: E.Çelaj (Vlorë)
Juxhin Xhaja ka gjykuar pa probleme në këtë ndeshje, ku pati një rast të diskutueshëm, por që u zgjidh drejt që në fushë, duke dhënë penallti në favor të Elbasanit.
26‘ Qose harkon një top në zonë, ku ka një prekje me dorë të Dylis. Kryesori jep penallti dhe nuk ka nevojë për t’u konsultuar me dhomën VAR. Pamjet janë të qarta, sepse prekja me dorë është evidente.

VLLAZNIA-BYLIS 3-0
GJYQTARË: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), E.Mehmetaj (Fier); VAR: D.Maletaj (Tiranë), AVAR: O.Kuka (Tiranë)
Ndërkombëtari Enea Jorgji pati dy episode në këtë ndeshje, por i pari ngre dyshime, sepse u anulua me VAR një gol i Bylisit, për një faull të diskutueshëm.
9′ Malomo gabon përballë Jukajt, por topi shkon te Ruçi, që e dërgon në rrjetë. Pasi thirret nga VAR-i dhe sheh pamjet, Jorgji dallon një faull ndaj Jukajt. Duket vendim i saktë, edhe pse jo bindës.
20’ Faull i qartë i Balajt ndaj Abazajt në aksionin ku shënon Mala, por goli anulohet me të drejtë.

TEUTA-DINAMO 0-0
GJYQTARË: O.Ferataj (Patos), A.Zalla (Tiranë) S.Met-hoxha (Lushnjë); VAR: I.Myrtja, AVAR: D.Grimci (Shkodër)
Ndeshja e zhvilluar në Durrës nuk pati episode të dyshimta, sa i takon gjykimit, ku kryesor ishte Olsid Ferataj dhe në VAR Indrit Myrtja. Ishte vetëm një moment i diskutueshëm në minutën e 67-të, kur Toli përfundon i shtrirë brenda portës së tij, pas një kontakti me Simeun, që duket se e shtyn, por jo aq sa për të marrë masë ndëshkimore ndaj tij. Ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se gjatë ndeshjes pati ndalesa sistematike të lojës nga Ferataj, i cili lejoi shumë pak lojë efektive në këtë 90- minutësh.

PANORAMASPORT.AL