Moviola e Elbasani-Bylis, skuadrës së Josës i mungon një penallti (VIDEO)
Ndeshja mes Elbasanit dhe Bylisit u shoqërua me disa episode të diskutueshme, që ndikuan drejtpërdrejt në ritmin dhe tensionin e takimit.
Katër momente në veçanti ndezën debatet, me pretendime për penallti nga të dyja skuadrat dhe me rolin e VAR-it që u vu në qendër të vëmendjes. Vendimet e arbitrit kryesor Myrtja, në disa raste të konsideruara të drejta e në disa të tjera të diskutueshme, mbeten për t’u analizuar në detaje në moviolën e sfidës.
Minuta 45+2: Vendasit pretendojnë për penallti pas një rrëzimi të Loukili në zonë pas dyluftimit me Adeduron, gjyqtari lë lojën të vazhdojë. Vendim i drejtë i kryesorit, sepse nga pamjet duket që sulmuesi i Elbasanit tenton ta vjedhë penalltinë. Duhet të ndëshkohet me karton të verdhë. (VIDEO)
Minuta e 59-të: Penallti për Bylisin! Olavio hyn në zonë nga e majta, Olberkis e tërheq në shpatull dhe sulmuesi rrëzohet në zonë, me gjyqtarin Myrtja, i cili nuk heziton të bëjë shenjë nga pika e bardhë. Vendim i drejtë, pasi mbrojtësi i Elbasan e pengon me duar. (VIDEO)
Minuta e 70-të: Pedro hyn në zonë nga e majta, Manellari ka një kontakt me të dhe sulmuesi i Bylisit rrëzohet në zonë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Moment shumë i dyshimtë, ndërkohë që VAR nuk ndërhyn. (VIDEO)
Minuta e 88-të: Kamara rrëzohet në zonën e Elbasanit, pas një dyluftimi me Arsen Kasën, gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë. Moment shumë i dyshimtë, për të mos thënë penallti, ndërkohë që VAR nuk ndërhyn sërish.
PANORAMASPORT.AL













