Moriero kërkon vazhdimësi, Flamurtari synon ngjitjen. Trajneri konsultohet me Idrizin për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2026 | 14:41

Moriero kërkon vazhdimësi, Flamurtari synon ngjitjen. Trajneri konsultohet me Idrizin për merkaton

Françesko Moriero kërkon vazhdimësinë e rezultateve pozitive në kampionat. Pas fitores bindëse 3-0 përballë një rivali direkt si Bylisi, tekniku italian synon që skuadra e tij të ruajë të njëjtin ritëm edhe në përballjet e ardhshme ndaj Tiranës dhe Vorës. Një objektiv i qartë, i vendosur nga drejtuesit e klubit, të cilët kërkojnë stabilitet dhe ngjitje në renditje. Vlonjatët aktualisht renditen në vendin e tetë të tabelës së klasifikimit, me pikë të barabarta me Bylisin.

moriero

Pikërisht për këtë arsye, në kampin kuqezi synohet shkëputja nga rivalët direktë dhe përfitimi maksimal nga çdo hap fals i kundërshtarëve. Në këtë fazë të kampionatit, çdo ndeshje konsiderohet vendimtare. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Moriero theksoi se skuadra e tij do të luajë çdo takim me përqendrim dhe intensitet maksimal, pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar. “Ne do të luajmë gjithmonë me intensitet dhe përqendrim maksimal. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të kërkojmë maksimumin, ashtu siç kemi bërë deri tani”, u shpreh italiani.

NDESHJA ME BYLISIN – Duke komentuar fitoren e fundit ndaj Bylisit, Moriero vlerësoi paraqitjen e futbollistëve, duke theksuar se suksesi ishte tërësisht meritë e tyre. Sipas tij, skuadra tregoi karakter, vendosi ritëm të lartë dhe e kërkoi fitoren që në minutat e para. “Është një ndeshje që e fituan çunat. Vendosëm intensitet të lartë dhe na duhej patjetër fitorja. Na vjen keq që nuk kishim publikun tonë në stadium, por e ndjenim mbështetjen edhe nga jashtë. Më në fund na erdhi pak buzëqeshja”, tha Moriero.

MERKATO – Sa i përket merkatos dimërore, Flamurtari ende nuk ka zyrtarizuar asnjë afrim. I pyetur për këtë çështje, trajneri italian u tregua i rezervuar, duke sqaruar se komunikimet për merkaton i zhvillon vetëm me drejtuesit e klubit. “Për merkaton flas vetëm me presidentin”, përfundoi Moriero.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL