Misioni i madh i verës për Dinamon, “Nëndetësja” do grupet
Dinamo nuk e arriti dot titullin kampion në këtë sezon, pavarësisht se ishte një nga skuadrat më të mira dhe me elementet më të spikatura të kampionatit. Ky fakt solli një zhgënjim mjaft të madh në klubin blu, me drejtuesit, që patën edhe momente gjaknxehtësie pas gjysmëfinales me Vllazninë.

Por te Dinamo duket se i kanë idetë e qarta dhe zhgënjimi me fitimin e titullit nuk do të ndikojë që klubi të frenojë investimet apo që të ulë pretendimet e veta. “Panorama Sport” mëson se në klub janë gati të ndërtojnë një skuadër që të ketë forcën për të shkuar në grupet e Ligës së Konferencës, kompeticion të cilin Dinamo e nis nga raundi i pare dhe në short është e pozicionuar në vazon e jofavoritëve.
SYNIMI – Te “Nëndetësja” janë të qartë se për të shkuar në grupet e kompeticionit të tretë për nga rëndëia është një rrugë shumë e vështirë, që kërkon edhe shumë fat në vetvete, por kjo nuk i ndalon aspak të kenë synime të tilla dhe të provojnë maksimumin. Në skuadër kanë një sërë lojtarësh me mjaft cilësi dhe me disa afrime të goditura në pozicionet ku duhet, blutë mund të ngrihen në një nivel të kënaqshëm, aq sa për të konkurruar edhe skuadra të vendeve me më shumë para për futbollin.
Ambicia për të shkuar në grupe duket se është motivi kryesor përse Dinamo po refuzon të shesë lojtarët kryesorë dhe nga ana tjetër po përpiqet të marrë lojtarë të spikatur në rajon dhe jo vetëm. Shto këtu edhe faktin se në drejtimin e skuadrës është një trajner si Ilir Daja, i cili ka arritur të shkojë plot tri herë në karrierë në grupet e kompeticioneve europiane.
PANORAMASPORT.AL













