Mini-revolucion tek Egnatia, gati ndryshimet në janar duke shitur yjet
Egnatia po hyn në një nga momentet më delikate të sezonit. Merkatoja e janarit pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në Rrogozhinë, teksa drejtuesit e klubit janë duke vlerësuar me kujdes çdo ofertë që mund të mbërrijë për lojtarët kryesorë të skuadrës.

Në prapaskenë flitet për një “mini-revolucion”, i cili, nëse konkretizohet, do të ndryshojë ndjeshëm fytyrën e ekipit për pjesën e dytë të kampionatit. Strategjia e klubit duket e qartë: nëse tregu ofron shifra të kënaqshme, Egnatia është e gatshme të sakrifikojë elementë të rëndësishëm, duke synuar njëkohësisht përfitim financiar dhe riorganizim të organikës.
DAJSINANI, EMRI MË I NXEHTË – Në krye të listës së lojtarëve më të kërkuar është portieri Mario Dajsinani. Gardiani i Egnatias ka qenë një pikë reference për ekipin dhe paraqitjet e tij konstante nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sipas informacioneve të qarkulluara, Metalist 1925 nga Ukraina ka shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Edhe pse ende nuk flitet për një marrëveshje të mbyllur, kontakti mes palëve ekziston dhe situata po monitorohet nga afër.
Nëse oferta financiare do të jetë në linjë me pritshmëritë e klubit, largimi i Dajsinanit shihet si një opsion real, që do të sillte të ardhura të rëndësishme në arkat e Egnatias.
XHEMAJLI NË PRITJE – Një tjetër emër që ka hyrë në qarkullimin e merkatos është Arbenit Xhemajli. Mbrojtësi ka treguar stabilitet dhe pjekuri në repartin difensiv, duke u shndërruar në një element të besueshëm për stafin teknik. Interesi për Xhemajlin vjen kryesisht nga ekipe të huaja, të cilat po ndjekin nga afër zhvillimin e tij. Egnatia nuk e konsideron të paprekshëm, por çdo vendim do të merret vetëm nëse kushtet financiare justifikojnë një largim në mesin e sezonit.
SULMI NË “LUPË” – Merkatoja e janarit mund të prekë edhe repartin ofensiv. Soumaila Bakajoko dhe Alessandro Albanese janë dy emra që kanë tërhequr vëmendjen jashtë vendit. Albanese ka qenë ndër lojtarët më pozitivë të Egnatias në këtë gjysmë sezoni. Performancat e tij, ritmi dhe efikasiteti përpara portës e kanë kthyer në një profil të kërkuar, ndërsa interesimi për të po rritet nga java në javë.
Edhe Bakajoko mbetet një sulmues me karakteristika të veçanta, i cili vlerësohet për forcën fizike dhe eksperiencën. Nëse ofertat e duhura mbërrijnë, drejtuesit nuk pritet të vendosin “veto”, duke qenë se klubi ndjek prej vitesh një politikë të qartë të gjenerimit të të ardhurave nga shitjet.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













