Milinkoviç u dha mundësi thuajse të gjithëve, por ekipi nuk iu përgjigj
Mladen Milinkoviç u largua nga Partizani, si trajneri që ka bërë më keq që nga viti 2013 që përkon me rikthimin në Superiore. Në gjashtë javë grumbulloi vetëm 4 pikë, teksa pas fitores dhe barazimit në dy ndeshjet e para, pasuan vetëm humbje.

Milinkoviç ishte i kushtëzuar nga dëmtimet, megjithatë dukej se të besuarit që hodhi në fushë nuk iu përgjigjën asnjëherë siç priste. Në derbin me Tiranën uli në stol disa prej më të besuarve të tij, ndërsa pjesa tjetër në fushë nuk ia shpërbleu.
Mehmeti dhe Isgandarli që qëndruan në stol dhe nuk morën asnjë minutë, pasi më parë ishin aktivizuar sistematikisht, u panë edhe si mungesat më të mëdha të derbit. Për të gjithë situatën e krijuar, përgjegjësi e madhe i mbeti Milinkoviçit, që gjithsesi dallon për numrin e lojtarëve të aktivizuar në gjashtë javë.
25 LOJTARË- Asnjë klub tjetër i Superiores, nuk ka aktivizuar aq sa Partizani në gjashtë javët e para. Mladen Milinkoviç u ka dhënë minuta 25 futbollistëve të “demave”. Më tej ndodhet Vllaznia e Martinit, me 23 lojtarë të aktivizuar. Teuta, Bylis dhe Vora me nga 20 futbollistë që kanë fituar minuta këtë kampionat, mbyllin listën.

Tashmë ekipi është në përgjegjësinë e Oltijon Kërnajës. Ky i fundit e njeh grupin, pasi punonte bashkë me Milinkoviçin nga muaji gusht si ndihmës duke përkthyer.
PANORAMASPORT.AL













