Mesfushori i klubit të Superiores: Kam lindur në Angli, sot dua fitoren e Shqipërisë
Në kampin vorak, të gjithë janë të përqendruar te takimi i radhës në kampionat kundër Teutës, që do të luhet të shtunën, ora 16:00 dhe me shumë mundësi do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, edhe pse Vora është pritës. Me gjasa klubet do të bëjnë një rokadë në kalendar, në mënyrë që në fazën e tretë, me shpresën që stadiumi i Vorës të jetë i përfunduar, vorakët të luajnë në shtëpi.

Trajneri Arjan Bellai dhe stafi i tij i janë përkushtuar kryesisht aspektit fizik dhe stërvitjeve individuale, pasi ngjeshja e kalendarit nuk ka lejuar kohën e duhur për këtë fazë përgatitore. Bellai ka kërkuar edhe ndihmën e stafit mjekësor për të rikuperuar disa lojtarë të dëmtuar, në mënyrë që të jenë gati për ndeshjet e javës së ardhshme. Grupi pritet të plotësohet javën e ardhshme me rikthimin e Tabakut, Barjamajt, Ruzgis dhe Luis Felipes, ndërsa ka shpresa edhe për rikthimin e Françesko Hasajt.
Ana psikologjike e ekipit është e mirë, pasi skuadra vjen me moral të lartë pas fitores bindëse ndaj Tiranës. Ndërkohë, Vora po përgatit edhe formacionin për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Sopotit, që do të luhet të mërkurën në orën 13:00 në fushën sportive të Ahmetaqit. Lidhur me ecurinë e deritanishme të Vorës dhe dy sfidave të kësaj jave, për “Panorama Sport” flet futbollisti 24-vjeçar, Kevin Dalipi, i cili ka lindur në Londër. Përveç analizës për ekipin, ai flet edhe për përballjen Shqipëri–Angli, dhe dëshirën që kuqezinjtë të marrin një fitore historike.
Dalipi, si e vlerësoni ecurinë e Vorës në këto 11 javë? Vora po tregon se është një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe të gjithë lojtarët po punojnë me përkushtim. Kemi bërë një ecuri që mund ta quaj mjaft pozitive. Në fillim shumë njerëz na panë si skuadër kalimtare dhe kandidate për të rënë kategori, por unë ju siguroj që gabohen. Aktualisht jemi në mesin “e artë” të tabelës, megjithëse në disa ndeshje kemi luajtur shumë mirë dhe nuk kemi marrë pikët që meritonim.
Keni lindur në Londër, por Shqipëria luan ndaj Anglisë të dielën. Si e parashikoni ndeshjen dhe për kë do të bëni tifo? Pavarësisht se kam lindur në Londër, origjina ime është shqiptare dhe Shqipërinë e kam për zemër. Sigurisht dua që të fitojmë ndaj Anglisë, sepse një fitore na siguron një vazo më të favorshme dhe një kundërshtar më të lehtë në “play off”. E rëndësishme është që jemi kualifikuar për këtë fazë dhe dua të uroj ekipin Kombëtar për këtë arritje historike. Edhe unë shpresoj që një ditë të vesh fanellën kuqezi dhe të jap më të mirën për kombin tim. Këtë ndeshje do ta ndjek në stadium.
Vora ka një kalendar të ngjeshur, pasi javës që vjen ju presin dy ndeshje, në Kupë dhe kampionat. Çfarë prisni prej tyre? Vetëm fitore. Fitore të mërkurën në Kupë dhe fitore të shtunën në kampionat. Jemi përgatitur për të dyja sfidat, por padyshim më e rëndësishme është ajo ndaj Teutës, ku do të luftojmë vetëm për tri pikët. Po aq e rëndësishme është edhe kalimi i turit në Kupën e Shqipërisë, sepse duam të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion dhe, pse jo, të synojmë finalen.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













