Mesfushori i Bylisit nuk ka dyshime: E ndalim sërish Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2025 | 17:50

Mesfushori i Bylisit nuk ka dyshime: E ndalim sërish Dinamon

Bylisi luan një tjetër ndeshje mjaft delikate, teksa skuadra e Mirel Josës pret një tjetër rival për titullin në shtëpi siç është Dinamo. Në këtë duel mallakastriotët do të tentojnë kthesën, me synim që të rikthehen te rezultatet pozitive, por edhe për të mos ndërlikuar pozitat në tabelën e renditjes.

Sulovari Bylis

Një ndeshje mjaft deçizive, por ballshiotët janë ndër të vetmet ekipe që kanë marrë pikë ndaj Dinamos në kryeqytet këtë sezon, ashtu sikundër edhe vjet i kanë mundur në Ballsh. Në duelet e shtëpisë, ballshiotët kanë marrë maksimumin këtë sezon, ndonëse kanë pësuar edhe disfata si ajo me Vllazninë, që u kontestua shumë nga ballshiotët pas duelit.

Megjithatë, tashmë kur kanë kaluar tri ndeshje nga faza e dytë, ballshiotët kanë grumbulluar 3-pikë nga 9-të të mundshme dhe performanca e skuadrës nuk ka qenë ajo që pritej. Një nga lojtarët e Bylisit, Henri Sulovari ka folur në prag të duelit me Dinamon. Mesfushori energjik ka besim se do të vijë kthesa në fundjavë.

“Nuk ka qenë ecuria e pritshme në ndeshjet e fundit, por të mos harrojmë që kemi luajtur me skuadra të forta, por edhe fati e gjykimi na ka penalizuar disi. Nga 9 pikë kemi grumbulluar vetëm 3, pra shumë pak në lidhje me pritshmëritë qenë kishim si skuadër. Dinamo me të cilën ne luajmë në fundjavë është një nga ekipet më të mira të elitës, me kualitete dhe emër të madh, por ne na duhen pikët në shtëpinë tonë. Ndeshja është e fortë dhe delikate, por kam besim se ashtu si vjet do të mundim Dinamon edhe këtë sezon.

Duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të godasim kundërshtarët sepse ne bëjmë lojë, madje edhe me ekipet më të mira ne mbajmë topin në përqindje shumë të madhe, por në fund janë pikët ato që na bëjnë punë dhe që na nevojiten për synimet që ne kemi. Të mobilizohemi dhe ta mposhtim Dinamon, duke e vlerësuar ndeshjen që në shkelmin e topit të parë e deri në vërshëllimën e fundit, duke qenë ai Bylisi agresiv që njohin të gjithë më fushën e vet.

Kam besim se në këtë duel edhe sulmi do të zhbllokohet dhe ne do të marrim pikët e plota, për të qenë më të qetë në vazhdimësi, ndërsa personalisht po luaj vitin e dytë në Ballsh, jam ambientuar mjaft mirë dhe dua që të kontribuoj maksimalisht që skuadra të realizon synimet e këtij sezoni në kampionat, por edhe Kupën e Shqipërisë”, tha Henri Sulovari i Bylisit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL