Mesdhetaret, Egzon Shala fiton të artën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2014 | 9:36

Mesdhetaret, Egzon Shala fiton të artën

Egzon_Shala_mundes_me_i_mire_Kosovar2Himni shqiptar dëgjohet në kampionatin mesdhetar të mundjes të 4-rt për të rritur në Kanjiza të Serbisë. Protagonist ishte mundësi i prespektivës kuqezi Egzon Shala. Në finalen e peshës 97 kg të stilit të lirë Shala do të mposhtte një përfaqësues vendës me rezultatin e thellë 13-2. Nën një dominim të plotë, shqiptari nuk e diskutoi medaljen e artë dhe fronin e kampionatit. Shala do të përfaqësonte i vetëm Shqipërinë në kampionatin mesdhetar për të rritur dhe premierë për të rinj e kadetë. Kjo garë nuk ka qenë e planifikuar në projekt-kalendarin e sezonit të Federatës Shqiptare të Mundjes dhe pjesëmarrja në Mesdhetare u mor përsipër nga vetë sportisti. Nga ana e saj, federata do të mundësonte vetëm anën proceduriale të regjistrimit. Falë potencialit të tij, Shala është përzgjedhur nga federata si kandidat për të përfituar bursë olimpike për Lojërat e ardhshme “Rio 2016”. I vlerësuar në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Mundjes (FILA), sipas së cilës Shala do të sjellë një përvojë të çmuar në këtë event (kampionati mesdhetar), ai do të garonte nën logon kuqezi në Europianin e prillit në Vanta të Finlandës. Në peshën 97 kg, 24-vjeçari do të zinte vendin e 13-të mes 20 konkurrentëve nga kontinenti. Një vit më parë, në shtator, kampioni i Shqipërisë do të garonte në kampionatin botëror në Budapest në peshën 96 kg. Në përfundim ai do ta mbyllte në vend të 10- të mes 33 mundësve. Në fakt, një rezultat dinjitoz ka qenë ai i Lojërave Mesdhetare “Mersin 2013”, ku do të nderohej me medaljen e bronztë. Pak ditë më parë, në pallatin e sportit “Ramazan Jala” (Durrës), u zhvillua Kupa e Shqipërisë për të rritur. Aktiviteti, i organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, mblodhi 92 sportistë. Sa i përket stilit të lirë, fituese u shpall Teuta. Më pas në vendin e dytë u rendit Tirana, ndërsa në të tretin Kukësi, kurse në klasike fituese ishte Besëlidhja. Në podium, për këtë kategori, u ngjitën edhe Olimpik G dhe Tomorri.
Olgert Serani