Merkato jashtë “orbite”, 235 lëvizje për 10 klube
Plot 235 transferime, me 125 lojtarë në hyrje dhe 110 në dalje. Kategoria Superiore ka ndryshuar në sezonin 2016-2017 pas lëvizjeve të shumta gjatë merkatos së verës. Edhe pse zyrtarisht ajo duhet të përfundonte më 1 shtator, është fakt se institucioni i futbollit shqiptar pranoi federime deri pak ditë më parë.

Ka pasur skuadra që janë ribërë, por edhe nga ato që kanë ruajtur grupin dhe janë plotë- suar në pozicionet ku kanë vuajtur gjatë sezonit të kaluar. Rekordin e lëvizjeve e mban Korabi i ngjitur pas pesë dekadash në elitën e futbollit shqiptar. 22 afrime dhe 16 largime e kanë bërë klubin dibran “mbret” të merkatos, për më tepër që ka afruar edhe emra “big” si Nderim Nexhipi, Sebino Plaku apo portieri Mirsollav Vujadinoviç.

Në ndryshim nga e kaluara, edhe kampionët në fuqi të Skënderbeut kanë lëvizur shumë. 10 afrime dhe 14 largime, si kurrë më parë në gjashtë edicionet e fundit. Gledi Mici dhe Masato Fukui mund të quhen goditjet e mëdha, pa lënë pas talente si Enis Gavazaj apo Ardit Hoxhaj. U larguan emra që kanë bërë historinë e Skënderbeut si kapiteni legjendar Bledi Shkëmbi, por gjithashtu edhe mbrojtësi Renato Arapi, që fitoi gjashtë tituj.

Nënkampionët në fuqi të Partizanit janë mes skuadrave që kanë bërë më pak lëvizje. Largimi i madh është golashënuesi Xhevahir Sukaj, ndërsa afrime të rëndësishme mund të quhen Renato Malota dhe Kaleb Ekuban.

Ndërsa fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, Kukësi, kanë ruajtur grupin dhe kanë rikthyer një bomber të afirmuar në Superiore si Pero Pejiç. Megjithatë, nga sezoni i fundit është larguar një lojtar klasi si Erik Flores. Një ekip i bërë nga e para mund të quhet Laçi me 22 afrime dhe 13 largime.

Të tjerët
Flamurtari mbetet “i pandreqshëm”, teksa çdo sezon shkrin një skuadër dhe ndërton nga e para një tjetër. Largoi 15 lojtarë dhe afroi 13. Bie në sy rikthimi i kroatit Tomislav Bushiç, por gjithashtu rikthimi i Franc Veliut apo zbulimi i mesfushorit Donjet Shkodra.

Racionale në merkato janë treguar Teuta dhe Vllaznia, duke bërë lëvizje të mirëstudiuara. Ditmar Bicaj dhe Ylli Hoxha janë goditjet e kuqebluve, ndërsa në Durrës kanë pritshmëri të mëdha tek dy të huaj: serbi Tarik Cmajcanin dhe sulmuesi nga Mozambiku, Faizal Bangal.

Ndërsa Luftëtari i rikthyer në Superiore ka bërë “pazar” në tregun afrikan, duke afruar lojtarë nga Angola, Kameruni dhe Senegali. Gjithashtu ka huazuar edhe një mesfushor nga Venezuela e largët.

Trendi i ri, merkato deri në Mozambik
Merkato deri në shtetin që në emisionet televizive në Shqipëri më shumë është bërë objekt humori. Teuta dhe Luftëtari kanë varur shpresat për sulmin gjatë këtij sezoni te dy lojtarë nga Mozambiku. Durrsakët kanë afruar Faizal Bangal, ndërsa gjirokastritët Reginaldo Artur Faife.

I pari ka nisur karrierën tek Atalanta, ndërsa i dyti vjen pas eksperiencës në Superligën portugeze. Të dy klubet kanë pritshmëri të mëdha te sulmuesit nga Mozambiku, që gjithashtu janë pjesë e Kombëtares së këtij vendi dhe janë grumbulluar së fundmi. Kjo është hera e parë që në Shqipëri luajnë dy futbollistë nga Mozambiku.
Ikën Sukaj, vjen Pejiç
Një bomber që largohet dhe një tjetër që rikthehet në Kategorinë Superiore. Xhevahir Sukaj braktisi Partizanin për një aventurë në Malajzi, ku për një vit do të fitojë 350 mijë dollarë. Nga ana tjetër, Pero Pejiç u rikthye te Kukësi, duke firmosur për 80 mijë euro. Pas dy javëve kampionat, të kuqtë “qajnë” ende largimin e shkodranit, ndërsa te verilindorët kanë nisur të marrin frytet e bomberit kroat, që vetëm në ndeshjen e fundit arriti të bënte dopietë në fitoren 3-0.

Diferenca e korçarëve
Klubi i Skënderbeut mbylli merkaton me 10 afrime dhe 14 largime. Diferenca e kampionëve në fuqi nga rivalët ishte blerja e kartonit të dy lojtarëve të shumëkërkuar në Superiore. Korçarët fituan duelin me Partizanin për shërbimet e mbrojtësit Gledi Mici dhe sulmuesit Ardit Hoxhaj. Në arkën e klubit të Kukësit shkuan 30 milionë lekë për blerjen e Micit, ndërsa e njëjta shifër u dha edhe për Bylisin, i cili kishte kartonin e Hoxhajt, që debutoi sezonin e kaluar në Superiore.
FEJZULLAHU
Vera e vitit 2016 do të mbahet mend për përplasjen e mbrojtësit Arbnor Fejzullahu me klubin e Partizanit. Lojtari nga Presheva flirtoi me Skënderbeun, madje u stërvit me këtë të fundit për pak ditë, por klubi i kuq e paditi në FSHF. Në fund, Partizani fitoi të drejtën në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve dhe Fejzullahu u rikthye te “demat”. Tashmë janë sheshuar problemet dhe mbrojtësi ka fituar vendin e titullarit.
AFRIKANËT
Tirana bëri merkato në vendet afrikane me “low cost”. Zyrtarisht për klubin bardheblu firmosën emra si Romuald Ntsisigui, Ifeani Edeh, Merveille Ndokyt, Moise Nkounku, Moktar Sise dhe Reuben Akuah. Një prej tyre ka bërë për vetë tifozët që në ndeshjet miqësore, teksa bëhet fjalë për mesfushorin Merveille. Megjithatë, në dy javët e para të kampionatit, Tirana e Ilir Dajës nuk ka marrë më shumë se dy pikë.

Vangjeli dhe Arapi
Dy mbrojtësit e krahut me më shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar patën një verë të nxehtë. Kristi Vangjeli dhe Renato Arapi fillimisht u larguan nga Skënderbeu për të firmosur me Astra Giurgiun dhe Partizanin. Mirëpo, pas angazhimit me këto skuadra në Kupat e Europës, korçari prishi kontratën me klubin rumun dhe u rikthye në shtëpi. Ndërsa Arapin e joshi oferta e Bolusporit në Turqi dhe firmosi për këtë të fundit, duke marrë edhe OK-in e presidentit të Partizanit.
JORGIS MEMO













