Më të rëndësishmit në Shqipëri, mësohen arbitrat që do të vendosin drejtësi në finalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2026 | 11:04

Më të rëndësishmit në Shqipëri, mësohen arbitrat që do të vendosin drejtësi në finalen e Kupës

Është zyrtarizuar ekipi i arbitrave që do të drejtojnë finalen e Kupës së Shqipërisë, Dinamo-Egnatia sfida që do të përcaktojë fituesin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar për këtë sezon.

xhaja

Për këtë përballje me rëndësi të veçantë Federata Shqiptare e Futbollit i ka besuar bilbilit ndërkombëtar Enea Jorgji, një nga arbitrat më me eksperiencë të futbollit shqiptar, i cili ka drejtuar prej vitesh ndeshje të rëndësishme në Abisnet Superiore, Kupën e Shqipërisë, por edhe takime në arenën europiane.

Në krah të tij do të jenë asistentët Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa rolin e arbitrit të katërt do ta mbajë Florjan Lata, një tjetër emër që këtë sezon ka qenë pjesë e ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit shqiptar.

Edhe teknologjia VAR do të jetë blind në këtë finale, me ndërkombëtarin Juxhin Xhaja në rolin e arbitrit të sistemit VAR si dhe gjyqtarin Kreshnik Cjapi në rolin e AVAR.

Finalja e Kupës së Shqipërisë pritet të dhurojë emocione të mëdha dhe atmosferë të zjarrtë, ndërsa vëmendja do të jetë jo vetëm te protagonistët në fushë por edhe te arbitrimi, i cili në sfida të tilla ka një peshë të rëndësishme në ecurinë e ndeshjes.

Me një ekip arbitrash të përbërë nga emra të njohur të futbollit shqiptar, pritet që finalja të administrohet në nivelin më të lartë.

FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL