Me një lojtar të pezulluar, Luftëtari kërkon pikë mbijetese në “Roza Haxhiu”
Luftëtari do të luajë këtë fundjavë ndeshjen e dytë radhazi në transfertë, teksa pas sfidës në Kukës, gjirokastritët do të përballen me Lushnjën në një tjetër duel shumë të rëndësishëm për mbijetesën. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli, objektivi minimal në këtë takim është përsëritja e rezultatit pozitiv të marrë në Kukës, ku Luftëtari arriti të marrë një pikë pas barazimit pa gola, 0-0.

Tri pikë në këtë sfidë do të kishin një vlerë të dyfishtë, pasi do të ndalonin edhe një rival direkt për mbijetesën. Për këtë takim trajneri Devolli do të ketë një mungesë të rëndësishme. Mbrojtësi Rei Zaimi nuk do të jetë i gatshëm, pasi është i pezulluar për shkak të plotësimit të numrit katër të kartonëve të verdhë.
Megjithatë, në radhët e skuadrës nuk mungojnë alternativat, pasi gjatë merkatos së dimrit klubi ka bërë disa afrime dhe pothuajse çdo repart është i dubluar. Gjirokastritët shpresojnë që edhe në këtë transfertë të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv, në mënyrë që të mos humbasin terren ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë dhe të vazhdojnë garën për mbijetesë.
PANORAMASPORT.AL













