Mbrojtësi Arëza shpreson te reflektimi i ekipit. Tomori kërkon kthesën ndaj Delvinës, trepikëshi detyrim për tifozët beratas
Pas humbjes së pësuar në transfertën e Maliqit, situata është shfaqur mjaft e zymtë në kampin beratas. Tomori aktualisht renditet në vendin e parafundit të grupit, një pozicion që nuk reflekton dëshirën dhe përpjekjet e skuadrës.

Tekniku Klodian Arbëri, i vënë përballë vështirësive profesionale për shkak të mungesës së theksuar të investimeve te skuadra që drejton, është detyruar të pranojë realitetin e vështirë. Trajneri u ka inkurajuar vazhdimisht futbollistëve që të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të vazhdojnë të luftojnë, me synimin për ta mbyllur fazën e parë në mënyrë pozitive, me fitore në ndeshjen ndaj Delvinës në shtëpi. Për këtë arsye, skuadra është shfaqur e mobilizuar maksimalisht në stërvitje, edhe pse, ashtu si në ndeshjet e mëparshme, edhe nesër do të vuajë mungesa të rëndësishme në formacion për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh. Megjithatë, fryma e grupit dhe dëshira për reagim mbeten të forta.
Mbrojtësi Edmond Arëza, i cili pavarësisht rezultateve jo pozitive ka treguar grintë dhe ka dhënë maksimumin në fushë, duke marrë vazhdimisht vlerësimet e trajnerit Arbëri, shfaqet besimplotë për sfidën ndaj Delvinës. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Arëza thekson: “Në ndeshjen e kaluar vuajtëm mungesën e konkretizimit dhe dobësitë tona u shfrytëzuan nga kundërshtari. Pavarësisht pozicionit në renditje, si skuadër nuk e kemi humbur asnjëherë besimin për t’u ringritur. Fitorja ndaj Delvinës në shtëpi është një detyrim për ne dhe për sportdashësit tanë. Tomori do ta mbyllë fazën e parë me fitore dhe kjo do të jetë pika e kthesës së madhe për fazën e dytë”.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













