“Mbretëreshë” jashtë fushe, Egnatia në Ballsh për kreun
Egnatia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e radhës në kampionat, ku kampionët në fuqi do të jenë mysafirë të Bylisit në Ballsh.

Një transfertë e vështirë në letër, por që në kampin rrogozhinas shihet me një objektiv të vetëm: fitoren. Diferenca me Vllazninë ndjekëse është vetëm dy pikë dhe çdo hap fals do të vinte seriozisht në rrezik vendin e parë në renditje. Për këtë arsye, Egnatia udhëton drejt Ballshit me një mendësi të qartë dhe pa ekuivoke, për të marrë maksimumin e mundshëm.
Stafi teknik ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, duke qenë se ndeshjet jashtë fushe, veçanërisht në këtë fazë të sezonit, janë shpesh vendimtare për fatet e titullit. Një rezultat pozitiv jo vetëm që do të ruante distancën me ndjekësit, por do të forconte edhe më shumë statusin e Egnatias si skuadra për t’u mposhtur këtë sezon.
TRANSFERTAT, “ARMA” E FORTË Egnatia mund të konsiderohet pa hezitim si “mbretëresha e transfertave” në këtë edicion. Nëse sot ndodhet në krye të renditjes, merita kryesore u takon pikërisht ndeshjeve të zhvilluara larg fushës së saj. Në dhjetë përballje jashtë, kampionët kanë treguar personalitet, pjekuri dhe cinizëm, duke siguruar 19 pikë, një bilanc që asnjë skuadër tjetër nuk ka arritur ta barazojë.Ky fakt përbën një sinjal të qartë edhe përpara përballjes me Bylisin, një ekip që tradicionalisht është i fortë në shtëpinë e vet. Megjithatë, mënyra se si Egnatia ka ditur të menaxhojë transfertat, duke kontrolluar lojën dhe duke shfrytëzuar maksimalisht momentet e saj, e bën skuadrën e Edlir Tetovës favorite edhe në këtë duel. Statistikat flasin qartë në favor të rrogozhinasve dhe janë një tregues i mentalitetit fitues që ka ndërtuar kjo skuadër.
BALANCA PERFEKTE Nga ana tjetër, Egnatia ka ditur të ruajë një balancë të admirueshme mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre jashtë. Edhe pse në transfertë është skuadra më e mirë e kampionatit, në fushën e saj nuk kryeson renditjen, pasi Vllaznia ka qenë më konstante si pritëse. Megjithatë, kjo nuk e ka penalizuar Egnatian, e cila ka ditur të mbajë ekuilibrin dhe të marrë pikët e nevojshme në çdo situatë. Shifrat janë domethënëse. Pas dhjetë ndeshjesh të luajtura në shtëpi, kampionët kanë grumbulluar po aq pikë sa edhe në transfertë, plot 19, duke ndërtuar kështu një bilanc pothuajse perfekt. Pavarësisht vështirësive dhe luhatjeve që ka sjellë ky edicion, Egnatia ka treguar se di të menaxhojë momentet kyçe dhe të dalë gjithmonë me përfitim nga përballjet vendimtare.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













