Mbijetesa në “fije të perit”, Apolonia në rënie të lirë dhe katër muaj pa fitore e pak shpresë
Apolonia po përjeton një nga momentet më të vështira të sezonit, një periudhë që mund të përcaktojë fatin e saj në Kategorinë e Parë. Ecuria e fierakëve në muajt e fundit është kthyer në një alarm të vërtetë, me skuadrën që tashmë është futur thellë në zonën e rrezikut dhe nuk e ka më aspak të sigurt mbijetesën, kur kanë mbetur vetëm pesë javë nga fundi i kampionatit.

Viti 2026 ka sjellë një regres të dukshëm për Apoloninë, gjë që reflektohet qartë në rezultate dhe në renditje. Fierakët mbajnë aktualisht vendin e 9-të me 26 pikë pas 28 javësh, vetëm 2 pikë më shumë se Kukësi i vendit të 10-të dhe katër pikë larg zonës së rënies direkte, ku ndodhen Lushnja dhe Luftëtari. Diferenca është minimale dhe çdo hap fals në këtë fazë mund të rezultojë fatal. Situata bëhet edhe më dramatike kur shihen shifrat: Apolonia nuk njeh fitore prej plot 4 muajsh e një dite. Suksesi i fundit daton më 3 dhjetor, kur mundën Besën 2-0. Që nga ajo ndeshje, skuadra ka hyrë në një spirale negative, duke regjistruar plot 14 ndeshje radhazi në kampionat pa fitore, pa llogaritur edhe eliminimin nga Kupa në janar.
Rezultatet e fundit janë një pasqyrë e qartë e krizës: humbje të njëpasnjëshme, barazime që nuk ndryshojnë situatën dhe një mungesë totale reagimi. Edhe në ndeshjet ku mund të merrej maksimumi, Apolonia ka dështuar të konkretizojë, duke lënë pikë të arta në rrugën drejt mbijetesës. Tashmë, e gjithë vëmendja është te sfida e 4 prillit, një “finale” e mirëfilltë për mbijetesë ndaj Kukësit. Një përballje direkte që mund të përcaktojë shumë për fatin e sezonit.
Fitorja është detyrim absolut për fierakët, pasi çdo rezultat tjetër do ta komplikonte edhe më tej situatën dhe do t’i afronte akoma më shumë me skenarin e rënies. Megjithatë, shpresa ende ekziston. Me pesë javë për t’u luajtur dhe diferenca të vogla pikësh, gjithçka mbetet e hapur. Por një gjë është e qartë, nëse Apolonia nuk reagon menjëherë, rënia nga kategoria nuk do të jetë më një rrezik, por një realitet i pashmangshëm. Misioni i mbijetesës nis nga kjo fundjavë, kundër Kukësit, një kundërshtar që ka bërë mirë në pesë javët e fundit.
Ndeshjet e fundit të Apolonisë
21.03.26 – Apolonia – Lushnja 0-0
18.03.26 – Luftëtari – Apolonia 2-2
14.03.26 – Apolonia – Skënderbeu 0-1
07.03.26 – Laçi – Apolonia 2-1
28.02.26 – Apolonia – Pogradeci 1-2
22.02.26 – Kastrioti – Apolonia 1-0
14.02.26 – Skënderbeu – Apolonia 3-2
07.02.26 – Apolonia – Pogradeci 2-2
31.01.26 – Iliria – Apolonia 2-0
25.01.26 – Apolonia – Lushnja 0-0
17.01.26 – Burreli – Apolonia 2-0
10.01.26 – Egnatia – Apolonia 1-0 (Kupë)
20.12.25 – Apolonia – Laçi 0-2
13.12.25 – Apolonia – Korabi 0-3
07.12.25 – Kastrioti – Apolonia 1-0
03.12.25 – Apolonia – Besa 2-0
PANORAMASPORT.AL













