“Mbështetja e tifozëve, çelësi i klubit këtë sezon”, ish-trajneri Deliu: Me këtë merkato, Elbasani i kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2025 | 23:50

“Mbështetja e tifozëve, çelësi i klubit këtë sezon”, ish-trajneri Deliu: Me këtë merkato, Elbasani i kompletuar

I sh-trajneri dhe futbollisti i njohur i Elbasanit, Luan Deliu, ka folur për “Panorama Sport” rreth startit të këtij sezoni për skuadrën verdheblu. Ai thekson se Elbasani ka nisur sezonin me një lojë ndryshe, duke treguar qartësi në veprimet sulmuese, organizative dhe mbrojtëse dhe se ekipi ka arritur të krijojë një bazë solide që e bën skuadrën të kompletuar.

luan deliu elbasani

Deliu nënvizon se edhe me mungesat e disa lojtarëve të rëndësishëm, skuadra ka reaguar mirë, duke iu përgjigjur lojës siç duhet. Përballja me Egnatian, një nga ekipet elitare të Superiores, tregoi entuziazmin dhe karakterin e lojtarëve, ndërsa mbështetja e tifozerisë u ndje gjatë gjithë ndeshjes. Ai veçon golin e parë si një aksion model dhe përmend edhe momentet pozitive të Egnatias, që treguan cilësinë dhe potencialin e tyre.

Ish-trajneri gjithashtu diskuton rëndësinë e merkatos dhe afrimeve të reja, duke theksuar se futbolli është lojë kreative dhe bazohet tek kolektivi. Ai vlerëson afrimet e Ben Shimon dhe portierit Janaçek, si dhe djemtë e rinj që po japin sinjale pozitive, përfshirë veçanërisht Boriçin, i cili premton shumë për të ardhmen dhe mund të bëhet lojtar elitar.

Z. Deliu, si e shihni fillimin e këtij sezoni nga ana e Elbasanit?

Starti i Elbasanit është shumë i mirë. Ekipi e ka nisur me një lojë ndryshe, në kuptimin që di të ndërtojë qartë në veprimet sulmuese, organizative dhe mbrojtëse. Pra, kemi një skuadër të kompletuar dhe në këto dy ndeshje kemi parë një Elbasan ndryshe për këtë sezon.

Ju duket se ka pasur një ndryshim në mentalitet ose në lojën e ekipit?

Kemi shumë besim te ky ekip dhe ajo që më pëlqen më shumë nuk është vetëm loja, por edhe puna që bëhet në tërësi. Elbasani është një skuadër që ia vlen ta shohësh dhe të bëhesh tifoz i saj. Në ndeshjen e dytë, edhe pse munguan tre lojtarë të rëndësishëm, u pa që alternativat nuk kishin diferenca. Ata iu përgjigjën lojës ashtu siç duhej.

Përballë ishte Egnatia, një ekip që ka arritur shumë vitet e fundit. Sa e vështirë ishte kjo ndeshje?

Para ndeshjes të gjithë e konsideronin të vështirë, sepse përballë ishte një ekip si Egnatia, që vitet e fundit është kthyer në skuadër elitare me futboll cilësor. Elbasani kishte entuziazëm dhe kjo u tregua edhe nga tifozeria e zjarrtë, e cila e mbështet ekipin kudo. Natyrisht na vjen keq që nuk arritëm të fitonim, pavarësisht penalltisë së dhënë dhe rastit të kontestuar në fund. Nuk e kuptoj pse nuk u thërrit asnjëherë VAR-i edhe në disa episode të tjera gjatë lojës, megjithëse në tërësi arbitri nuk bëri keq.

Cilat momente të lojës ju dukën më të mira?

Goli i parë ishte një aksion model, po ashtu edhe ekzekutimi, pa lënë jashtë vlerësimit edhe momentet e mira të Egnatias që tregoi potencial. Elbasani ka krijuar bazën dhe ato skuadra që kanë bazë të tillë, e ngrenë nivelin e lojës shumë lart, si Dinamo apo Egnatia në sezonet e fundit. Me grupin që ka aktualisht dhe ndihmën e stafit bashkë me trajnerin, si dhe me punën e mirë të drejtuesve, ky Elbasan po ndërton diçka që shihet e ndjehet. Dhe duhet kuptuar: është shumë e vështirë të ndërtosh diçka të tillë.

Si i shihni afrimet e merkatos?

Ndonjëherë merkatot me shumë lëvizje prishin punë. Futbolli është lojë kreative dhe bazohet te kolektivi. Kur lojtarët vijnë rishtas, shpesh ky kreativitet bie. Për mua, dy afrimet kryesore si Ben Shimon në sulm dhe portieri Janaçek janë efikase. Edhe djemtë e rinj që janë afruar kanë dhënë sinjale pozitive.

A keni ndonjë këshillë për ekipet shqiptare sa i përket merkatos?

Një gjë dua të theksoj, si këshillë për të gjitha ekipet shqiptare: çdo element i ri që vjen nga merkatoja duhet të jetë më i fortë sesa ai që kemi aktualisht. Te Elbasani po rriten elementë të rinj, dhe përmend këtu veçanërisht Boriçin, i cili pavarësisht moshës, premton shumë për të ardhmen dhe mund të bëhet lojtar elitar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL