Maxhuni “dashurohet” me Vlorën
Lorik Maxhuni kërkon të qëndrojë sa më gjatë në Vlorë. Mesfushori kosovar i Flamurtarit tashmë është ambientuar me skuadrën kuqezi, ndërsa e vlerëson kampionatin shqiptar si ndër më të fortët në Ballkan, duke e krahasuar me atë të Sllovenisë.
22-vjeçari vjen pas eksperiencës në Kroaci, ku nisi karrierën te grupmoshat e RNK Split e më pas kaloi te Lokomotiva e Zagrebit.
Maxhuni është aktivizuar edhe në Austri me Grazer AK, ndërsa në Kosovë ka qenë pjesë e Drenicës, Ferizajt dhe Trepça ’89. Në katër takime të luajtura deri më tani me fanellën kuqezi ka shënuar një gol.
Dje, në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori që luan në të dyja krahët, por mund të përshtatet edhe në mbrojtje, tregon për eksperiencën e tij në Shqipëri me Flamurtarin. “Jam ambientuar shpejt me grupin dhe ndihem mjaft mirë. Falënderoj edhe stafin teknik për besimin që më ka dhënë, por gjithashtu edhe drejtuesit për mbështetjen e madhe. Unë premtoj se do të bëj maksimumin tim te Flamurtari.
Do të jap më të mirën, pse jo të shënoj sa më shumë gola. Është diçka e mirë që kam qenë titullar në takimet e fundit. Kjo tregon se kam fituar edhe besimin e drejtuesve. Unë jam i bindur se ky shans që më jepet më motivon për të dhënë më tepër për këtë fanellë. Dua të qëndroj sa më gjatë këtu, sepse ky është një klub i madh. Jam në një ekip që premton shumë dhe mbi të gjitha ndihem mirë si pjesë e tij”, – deklaroi Maxhuni













