Martin Janaçek në merkato/ Një skuadër Europiane gati të rrëmbejë portierin e Elbasanit
DAC Dunajska Streda është futur në treg për të gjetur një portier, pas dëmtimeve të Aleksandar Popoviç dhe Leandro Filipe, që kanë lënë boshllëk në një repart kyç të skuadrës. Mes emrave të përfolur, një profil që po tërheq vëmendje është ai i portierit të Elbasani, Martin Janaçek.

Gardiani çek, 25 vjeç, ka qenë një nga pikat më të qëndrueshme të Elbasanit në sezonin aktual, duke spikatur me pritje vendimtare dhe paraqitje të sigurta në ndeshje të rëndësishme. Reagimi i shpejtë në vijën fatale, pozicionimi korrekt dhe aftësia në duelet një kundër një e kanë kthyer Janaçekun në një element kyç për skuadrën verdheblu.
Interesimi i DAC vjen në një moment kur klubi sllovak ka nevojë urgjente për stabilitet në portë. Janaçek përfaqëson një profil interesant. Në moshë optimale për zhvillim, me eksperiencë si titullar dhe me potencial për të bërë hapin drejt një kampionati më konkurrues. Për më tepër, paraqitjet e tij në kampionatin shqiptar kanë treguar pjekuri dhe qetësi edhe në ndeshje me presion të lartë.
Për Elbasanin, një transferim i mundshëm do të ishte një vlerësim i punës së bërë me lojtarin, por njëkohësisht edhe një humbje e ndjeshme në repartin difensiv. Janaçek ka qenë shpesh garancia e fundit e ekipit, duke mbajtur në lojë skuadrën në momente delikate. Në ditët në vijim pritet të mësohet nëse interesimi do të konkretizohet në ofertë zyrtare. Për momentin, emri i Martin Janaçek mbetet në radarët e DAC, si një alternativë serioze për të zgjidhur emergjencën në portë.
PANORAMASPORT.AL













