Mamurrasi përcillet me gurë, Tërbuni ruan kreun
Tërbuni dhe Mamurrasi ndajnë nga një pikë në supersfidën e javës së 17-të në Grupin A të Kategorisë së Parë. Sfida e djeshme e zhvilluar në Pukë përfundoi në barazim 1-1. Vendësit shënojnë të parët, por nuk e ruajnë dot avantazhin, në një kohë që miqtë rrëmbejnë një pikë, edhe pse për më shumë se 50 minuta luajtën me 10 lojtarë. Edhe pas këtij barazimi, Tërbuni ruan kreun dhe diferencën prej një pike me Mamurrasin, që mbetet sërish i dyti. Një sfidë që ka sjellë rreth 3000 tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Ismail Xhemali”, në një kohë që të pranishëm ishin edhe rreth 100 mbështetës të Mamurrasit. Jo gjithçka ka përfunduar mirë, pasi në fund të sfidës, tifozeritë kanë shkëmbyer goditje me gurë mes tyre.
Madje, 7 tifozë të Mamurrasit janë dëmtuar dhe kanë mbetur të izoluar për rreth 20 minuta. Gjithashtu, tifozët vendës kanë goditur me gurë edhe autobusin e skuadrës mike duke i thyer një xham. Më pas, miqtë janë shoqëruar me forca të shumta deri në afërsi të Lezhës. Ndeshja Sfida ka nisur mirë për vendësit. Në minutën e 8-të është Tërbuni që godet shtyllën me anë të mbrojtësit Bruno Kepi. Megjithatë, goli nuk do të vonojë. Në të 17-n, kapiteni Mone nis një aksion të bukur në të majtë dhe kroson brenda zonës, aty ku Kepi godet saktë dhe shënon, 1-0.
Në të 25-n, Lekaj pason bukur te Mziu që shërben për Grecën që nuk gjen dot rrugën e rrjetës. Në minutën e 38-të, Tushe pason për Mihanin që godet saktë dhe barazon rezultatin në 1-1. Në minutën e 43-të, Çekiçi ndërhyn rëndë jashtë zone ndaj Lekajt dhe gjyqtari i tregon kartonin e kuq duke e lënë Mamurrasin me 10 lojtarë. Në minutën e 57-të, Djarmati fut një top në zonë për Grecën, por ky i fundit nuk ia del. Në të 76-n, sulmuesi Kabuni, i porsafutur në lojë, për pak sa nuk shënon me kokë. Në minutën e 90-të, kapiteni Mone jep një top të bukur për Djarmatin që shmang tre lojtarë dhe del i vetëm me portierin, por nuk arrin të shënojë. Nuk ka më kohë dhe gjithçka mbyllet në barazim 1-1. Lufta për elitën do të vazhdojë e fortë deri në fund.
TËRBUNI-MAMURRASI 1-1
GOLAT: Kepi 17’/ Mihani 38′
TËRBUNI: Giljen, Kepi, Lila, Mone,Danaj (Tafaj 60′), Çutra (Kabuni76′), Karakaçi (Djarmati 50′),Mziu, Rroca, Lekaj, Greca.
Trajner: E.Plori
MAMURRASI: Bytyçi, Abraham,Çekiçi, Baçi (Lala 60′), Sulollari,Kastrati, Ramadani, Tushe,Mihani, Mancaku, Fonseka.
Trajner: S.Bardhi
KARTONË TË VERDHË: Çutra 62′,Rroca 70’/ Bytyçi 58′
KARTON I KUQ: Çekiçi 43′
GJYQTARË: L.Jemini, E.Brahushi,A.Avdo (Tiranë)
VËZHGUES: A.Dervishi
DELEGAT: P.Haxhiu (Tiranë)













