LISTA/ Nga Kaçe te Grezda! 18 “hije” te Partizani, goditjet e dështuara në 5 vitet e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2025 | 9:37

LISTA/ Nga Kaçe te Grezda! 18 “hije” te Partizani, goditjet e dështuara në 5 vitet e fundit

Jemi mësuar që klubet shqiptare të bëjnë rev olucione thuajse në çdo merkato, duke larguar një “qerre” me lojtarë e duke sjellë po aq të tjerë. Nuk bën përjashtim as Partizani në këtë bashkësi, megjithëse të kuqtë kanë qenë disi më seriozë dhe kanë arritur edhe të përfitojnë financiarisht nga disa lojtarë, duke arkëtuar shuma të rëndësishme.

Screenshot 2025-03-24 093644

Por nga ana tjetër, është një listë e gjatë e lojtarëve që erdhën me bujë dhe si lëvizje “shëruese”, por rezultoi vetëm të ishin “hije” që “kaluan” në kampin e kuq.

EMRAT E MËDHENJ – Fakti është se Partizanit nuk i ka ecur kurrë me lojtarët me karrierë të madhe, derisa zuri mend dhe nuk bëri më lëvizje të tilla. Në këtë gjysmë dekade të fundit tre emrat më të mëdhenj janë Ferhan Hasani, Ergys Kaçe dhe Eros Grezda. Të ardhur njëri pas tjetrit, askush nuk mundi të lërë shenjë. Dëmtimet, forma jo e mirë apo përshtatja ndikuan që këta lojtarë të rëndësishëm të Kombëtareve të Maqedonisë dhe Shqipërisë të ishin thjesht kalimtarë te Partizani, pa arritur të shënojnë emrin në historinë e klubit.

SHQIPTARËT – Përveç tre të lartpërmendurve, ka pasur edhe shqiptarë të tjerë, që kanë ardhur me bujë dhe në asnjë moment nuk kanë mundur të përshtaten dhe të fitojnë besimin e trajnerëve. Kujtojmë afrimet e Donald Mëllugjës dhe Sherif Kallakut në periudhën 2020-2021. I pari ishte thuajse inekzistent dhe u largua pa kuptuar nëse erdhi apo jo. Sakaq, Kallaku u afrua si huazim nga Lokomotiva e Zagrebit, por pa arritur të përshtatet si duhet dhe të shkëlqente si te Teuta. Kohë më pas erdhën lojtarë si Sabit Bilali apo Remzifaik Selmani nga kampionati maqedonas. Të dy nuk mundën të ishin të rëndësishëm megjithëse u aktivizuan në disa ndeshje. Për t’u veçuar është Vangjel Zguro, që nuk ishte dështim sportiv, por në aspektin menaxherial, pasi u largua pas një konflikti me trajnerin Veselinoviç.

“TURISTËT” – Janë plot tetë të huaj që në këto vite kanë ardhur me mjaft bujë dhe interes, për t’u larguar me xhepat plot, por pa dhënë asgjë për Partizanin. Kujtojmë këtu emra si Domingues apo Fernandinjo, që nëse nuk do të kërkonim në internet, nuk do të kujtonim që dikur kanë luajtur për Partizanin. Dështim mjaft i madh kujtojmë të jetë edhe serbi Mirosavljev, një sulmues mjaft i fortë, por te Partizani nuk pati asnjë efekt. Gjithashtu, lojtarët maqedonas Damçevski e Cvetanoski, që nuk mundën të tregonin diçka. Afrohemi në kohë dhe mbërrijmë te Koçijan, Menish dhe Mikuliç, mbrojtësit që erdhën në Tiranë për “turizëm”. Mes vizitorëve ishte edhe Rodrigo Piloto, portugezi i ardhur në verën e shkuar nga Andorra.

NË EKIP – Të lartpërmendurit janë të gjithë të larguar, por në ekipin aktual ka të tjerë që në merkaton e ardhshme pritet t’i bashkohen listës së dështimeve, “hijeve” apo “turistëve”. Aktualisht përmendim emra si Vujnoviç, Osmanllari, Çipi apo Mintongo, që nuk kanë arritur të tregojnë veten dhe të fitojnë besimin e stafit. Të tjerë po përpiqen, por ende jo në pritshmëritë që klubi ka pasur kur i ka marrë.

Screenshot 2025-03-24 093452

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL