Leci pezullohet për trukime në Suedi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2013 | 13:30

Leci pezullohet për trukime në Suedi

Leci 1Liridon Leci po përballet me akuza nga Federata e Futbollit të Suedisë. Mbrojtësi i Landskrona BOIS po dyshohet për paracaktim të rezultateve të ndeshjeve në Ligën e Dytë të shtetit skandinav. Për këtë arsye, është pezulluar nga klubi.
Hetimi Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës po dyshohet nga Federata Suedeze e Futbollit për trukim ndeshjesh. Madje, për këtë arsye, klubi i tij e ka pezulluar dhe në takimin e mbrëmshëm (e hënë) me Jonkopingsun, nuk është ftuar fare. Krahas tij, për trukim është i dyshuar edhe portieri i kësaj skuadre, Bill Hallvorsen, që po ashtu është pezulluar. Lajmi bëhet i ditur nga mediat suedeze. “Të dy këta lojtarë nuk janë ftuar për ndeshjen me Jonkopingsun dhe asnjëri nga zyrtarët e klubit nuk do të flasë për lojtarët apo për rastin e ashtuquajtur skandal të kurdisjeve. Ata i referohen Federatës së Futbollit të Suedisë, të cilët janë në fazën e hetimeve”, – shkruan “hd.se” të hënën.
Situata Ai bën me dije se fjala është për ndeshjet me Falkenberg (java 24), të cilën Landskrona e humbi në transfertë 4-0 dhe me Gais (java 27) të humbur në fushën e vet 3-2. Në këto JORGIS MEMO takime Leci nuk ka luajtur, por ka qenë në fushë për 90 minuta, edhe në humbjen befasuese 2-1 ndaj skuadrës së fundit në renditje, Brage, të luajtur para dy javësh. Sipas asaj që raporton gazeta “Arena”, as Federata Suedeze e Futbollit dhe as mediat në Suedi nuk kanë bërë të ditur se për cilat ndeshje dyshohet Leci. Landskrona është duke luftuar për të mbijetuar në Superetan (Liga e Dytë e Suedisë). Më parë Leci ka luajtur me KF Prishtinën, kurse në Shqipëri ka bërë karrierë tek Elbasani, Flamurtari, Vllaznia, Besa e Kastrioti. Nga kjo e fundit në janar të 2011-ës u transferua në Kalmar, prej nga në fillim të këtij viti u huazua te Landskrona. Liridon Leci nuk është i vetmi shqiptar që është aktivizuar në kampionatin suedez. Aktualisht aty luajnë mbrojtësit e Kombëtares së Shqipërisë, Loret Sadiku (Helsingborg) dhe Ilir Berisha tek Orebro. Deri në verën e kaluar pjesë e Kalmarit ishte edhe Etrit Berisha.

Kur dënohej trajneri Ilir Pelinku në Maltë
Nuk është hera e parë që një shqiptar akuzohet dhe më pas dënohet për trukime në një vend të huaj. Një vit e gjysmë më parë, ish-trajneri lezhjan Ilir Pelinku u dënua në Maltë me gjashtë muaj burg me kusht dhe një gjobë për trukime. Ngjarja – Trajneri shqiptar, Ilir Pelinku, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe është gjobitur me 500 euro nga një gjykatë në Maltë, pasi është akuzuar se ka marrë parà për të manipuluar ndeshjen e Ligës së Europës më 2008, mes skuadrës malteze Marsaxlokk dhe asaj kroate Slaven Belupo, njoftoi “Malta Today” të mërkurën. Pelinku, që kishte drejtuar skuadrën malteze, ishte njëri nga dy të dënuarit. I dënuari tjetër është ish-gjyqtari i UEFA-s, Xho Atard. Kjo dyshe në vitin 2010 është pezulluar përjetësisht nga Federata e Futbollit të Maltës me akuzën tentim për të trukuar ndeshjen e Ligës së Europës. Prokuroria e Maltës ka vërtetuar se Pelinku dhe Atard kanë kërkuar nga portieri i Marsaxlokkut, Salvu Darmanin, që të lejojë ekipin kroat Slaven Belupo të fitojë lehtësisht 3-0. Darmanin, që e refuzoi këtë ofertë, e paraqiti rastin së pari te presidenti i klubit dhe më pas edhe te Federata e Futbollit të Maltës, që nisi hetimin për këtë ndeshje. Marsaxlok e pati humbur atë ndeshje me rezultatin 4-0. Gjykatësi Antonio Mikalef Trigona ka thënë se ka pasur mjaft dëshmi për të vërtetuar se Pelinku dhe Atardi kishin takuar Darmanin para ndeshjes. Gjithashtu, telefonatat kanë qenë dëshmi shtesë për këtë vepër.
JORGIS MEMO

Leci 2Leci: Jam i pastër, gati të hedh në gjyq klubin
Liridon Leci i hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Ai shpjegon për “Panorama Sport” se nuk ka marrë pjesë në asnjë aferë korruptive dhe se nuk e ka manipuluar kurrë rezultatin e një ndeshjeje. “Jam i befasuar, por më shumë i revoltuar, sepse po hedhin baltë mbi karrierën dhe punën time 12-vjeçare. Nëse klubi nuk del të përgënjeshtrojë publikisht akuzat ndaj meje, atëherë së bashku me avokatin tim do ta paditim klubin e Landskronës”, – thotë ish-futbollisti i Besës, Vllaznisë dhe Flamurtarit.
Liridon, a është e vërtetë që ju kanë pezulluar pasi dyshojnë se keni ndikuar në paracaktimin e rezultatit të tri ndeshjeve?
Po, është e vërtetë dhe jam shumë i mërzitur nga kjo gjë, sepse është një trillim i madh.
Kur jua komunikuan vendimin?
Ma komunikoi klubi ditën e premte, por ndërkohë unë një ditë më parë isha ulur me drejtuesit dhe kishim rënë dakord për të rinovuar kontratën edhe për një vit.
Po çfarë ndodhi një ditë më pas?
Më thirri në zyrë drejtori i klubit dhe më komunikoi vendimin e bordit.
Vetëm kaq?
Më tha se kishin disa të dhëna të besueshme se gjoja unë mund të kisha ndikuar në rezultatin e tri ndeshjeve.
Mbi çfarë provash?
Asnjë provë. Nuk më dhanë asnjë detaj bindës. Thjesht kanë marrë disa videokaseta dhe i kanë dërguar në Federatën Suedeze të Futbollit.
Vetëm juve ju kanë pezulluar?
Jo, kanë pezulluar edhe një lojtar tjetër që quhet Bill Hallvorsen dhe është portier i skuadrës.
Po si ka mundësi që klubi ndërmerr një nismë të tillë pa pasur asnjë argument, pasi këtu luhet karriera juaj, apo jo?
As vetë nuk di t’i jap përgjigje. Njoftova drejtorin dhe i thashë të ishin të qartë. Nëse kanë prova, le të shkojë çështja në Prokurori dhe të m’i japin edhe mua. Në të kundërt duhet të bëjnë përgënjeshtrim, përndryshe unë jam gati të marr masa.
Çfarë masash?
Nëse klubi nuk nxjerr fakte, ose nëse nuk tërheq veprimet që ka bërë, atëherë së bashku me avokatin do ndërmarr nismë ligjore, sepse nuk mund të ma nxijnë karrierën në këtë mënyrë.
Ju edhe sa kohë keni kontratë me Landskronin?
Kam kontratë edhe një javë.
Pra, bie mundësia që të jetë veprim tendencioz që të prishet kontrata në mënyrë të njëanshme për t’ju larguar për dëmshpërblim…?
Po, logjikisht kështu është. Nuk kanë arsye ta ma bënin këtë me qëllim që të më largonin. Këtu nuk jemi në Shqipëri…
Si ndiheni në këtë moment?
I revoltuar. Unë në dy prej këtyre ndeshjeve nuk kam luajtur fare dhe në një prej tyre, pra në humbjen me Bragën, kam qenë lojtari më i mirë në pjesën e parë. Nuk di çfarë të them sinqerisht. Edhe gazetarët suedezë që më telefonuan menjëherë sapo u përhap lajmi, për këtë më pyesnin.
Si ka mundësi që akuzoheni për dy ndeshje ku nuk keni qenë fare. Keni pasur ndonjë përplasje me drejtuesit e klubit?
Jo, asnjë. Si do zgjidhet kjo punë? Besoj se të martën (sot) do rikthehem në stërvitje dhe klubi do japë ndonjë shpjegim më konkret në media për atë që ka bërë. Nuk di çfarë të them më tepër. Unë kurrë nuk jam përfshirë në ndonjë aferë.

Dy javë më parë mori pasaportë shqiptare
Pak ditë më parë, Liridon Leci është pajisur me pasaportë shqiptare. Mbrojtësi kosovar ka luajtur për shumë vite në Shqipëri, ku është aktivizuar te Besa, Elbasani, Vllaznia, Kastrioti dhe Flamurtari. Pas pajisjes së tij me pasaportën shqiptare u spekulua në media se ai po bëhej gati t’i bashkohej ekipit përfaqësues me kërkesë të trajnerit De Biazi, por këtë vetë futbollisti nuk e ka konfirmuar. “Kombëtarja ka qenë një ëndërr e hershme e imja, por në këtë rast nuk ka ndonjë të vërtetë”, – ka thënë Leci dje në mbrëmje për gazetën.
JETMIR HALILAJ