Largimi i Ardijan Nuhijut, shifrat ishin kundër tij
Ardijan Nuhiju nuk është më trajneri i Tiranës. Lajmi tashmë konfirmohet edhe në klubin bardheblu, pasi palët i kanë dhënë lamtumirën njëra-tjetrës që pas ndeshjes me Teutën. Presidenti Refik Halili kishte autorizuar drejtorin Omer Bunjaku për të mbyllur tratativën, e cila tashmë ka përfunduar.

Gazeta “Panorama Sport”, ka mësuar pranë klubit se ka pasur një bisedë mes Nuhijut dhe drejtuesve të klubit gjatë ditës së pardjeshme, duke vendosur në fund “divorcin” që dukej i pashmangshëm pas rezultateve të fundit dhe paraqitjeve që nuk ishin bindëse. Gazeta kontaktoi trajnerin Nuhiju, por deri në botimin e këtij shkrimi, nuk ka marrë përgjigje nga ai për një reagim. Në fakt, Nuhijut i ishte prerë bileta që pas dy ndeshjeve me Dinamon, por humbja në derbi dhe ndaj Teutës, i vuri kapakun situarës.
BILANC QË ZHGËNJEN – Pas 18 javësh kampionat dhe Kupë, bilanci i Nuhijut flet qartë për një sezon larg pritshmërive. Bardheblutë kanë regjistruar 4 fitore, 6 barazime dhe 8 humbje. Problemi kryesor duket në repartin ofensiv. Vetëm 13 gola të shënuar në 18 takime. Më pak se një gol për ndeshje janë tregues i vështirësive serioze në fazën sulmuese.
Mungesa e konkretizimit ka kushtuar pikë të rëndësishme, sidomos në sfida direkte ku Tirana ka dominuar në lojë, por jo në rezultat. Edhe mbrojtja nuk ka qenë në nivelin e duhur. 25 gola të pësuar dhe një diferencë negative prej -12 theksojnë mungesën e stabilitetit. Në shumë raste, gabimet individuale dhe luhatjet gjatë 90 minutave kanë penalizuar skuadrën.
SUPERIORE – Pas 16 ndeshjeve në kampionat, bilanci mbetet larg standardeve të klubit. Bardheblutë kanë regjistruar 3 fitore, 6 barazime dhe 7 humbje, duke grumbulluar vetëm 15 pikë, me një mesatare prej 0.94 pikësh për ndeshje. Një ritëm që zakonisht lidhet me skuadrat e zonës së ftohtë të tabelës. Shqetësimi më i madh është reparti ofensiv.
Vetëm 11 gola të shënuar në 16 takime, rreth 0.68 gola për ndeshje, tregojnë vështirësi serioze në krijim dhe finalizim. Tirana po vuan mungesën e një pike referimi në sulm dhe shpesh dominimi territorial nuk përkthehet në gola. Edhe në mbrojtje ka luhatje. 22 gola të pësuar dhe një diferencë negative prej -11 dëshmojnë mungesën e ekuilibrit mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Në disa ndeshje, gabimet individuale kanë qenë vendimtare në humbjen e pikëve.
KUPA – Nuhiju drejtoi skuadrën edhe në Kupë, teksa mezi kaloi turin me Skënderbeun, teksa u desh një gol në shtesë i Tares. Në sfidën e dytë ndaj Dinamos, skuadra u mund 2-0 dhe kualifikimi në gjysmëfinale është i kompromentuar.
PANORAMASPORT.AL













