Lamtumirë Miço Çaro, legjenda që mbrojti portën dhe historinë e Luftëtarit!
Sot Gjirokastra dhe bota e sportit u zgjuan me dhimbjen për humbjen e një prej ikonave të saj më të ndritura.
Në moshën 90-vjeçare ka mbyllur sytë përgjithmonë Miço Çaro, njeriu që për dekada nuk ishte thjesht një portier, por simboli i pathyeshmërisë në fushën e blertë.
I lindur në Suhë, Miço Çaro ia dedikoi jetën sportit me një pasion që rrallë shihet.
Pas studimeve në ILKF “Vojo Kushi” ai nuk ishte vetëm mësuesi i edukimit fizik në shkollën “Koto Hoxhi”, por u kthye në mentorin e brezave të tërë.
Ai nuk i mësoi nxënësit vetëm si të luanin futboll, por si të donin me shpirt qytetin dhe fanellën e Luftëtarit.
Historia e ekipit të Luftëtarit nuk mund të shkruhej pa emrin e tij, sepse ai ishte shtylla e ekipit legjendar nënkampion të vitit 78-79, duke u bërë frymëzim për çdo djalë të ri që ëndërronte të vishte dorezat e portierit.
Nga duart e tij dolën emra si Ksenofon Çaro, Çumaku, Lamaj e Guri, një plejadë kampionësh që u rritën nën udhëheqjen e tij plot urtësi.
Edhe në emigrim zemra e tij rrahu gjithmonë për futbollin duke shërbyer si trajner në Greqi, por mendjen e mbajti gjithmonë te kalaja e tij, tek Gjirokastra që e shpalli “Qytetar Nderi” dhe e renditi si portierin më të mirë të shekullit.
Sot portat e qiellit hapen për një kampion, pasi kontributi, përkushtimi dhe buzëqeshja e tij do të mbeten të gdhendura në kujtesën e çdo sportdashësi gjirokastrit.
“Panorama Sport” i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Çaro për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL













