Laluci paralajmëron Flamurtarin: Nëse nuk fitojmë me Tiranën, nuk do i kemi mirë punët pastaj
Vangjel Laluci e shikon finale ndeshjen me Tiranën. Ish-drejtori i klubit Flamurtari thekson se futbollistët duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide vendimtare.

Nëpërmjet “Panorama Sport”, Laluci kërkon nga skuadra të bëjë sforco dhe të futet në fushë vetëm për fitore. Ai u bën thirrje edhe tifozëve të mbështesin skuadrën në këtë takim vendimtar pasi pavarësisht çfarë ka ndodhur ata janë djemtë e këtij qyteti.
“Duam po nuk duam ne, ndeshja me Tiranën është ndeshje finale. Ne nëse nuk fitojmë me Tiranën, më vjen keq por… nuk i kemi mirë punët pastaj. Nuk ke ku merr pikë më. Ndeshja me Tiranën duhet konsideruar si finale. Futbollistët duhet të jenë të ndërgjegjësuar për këtë. Trajnerët patjetër që janë. Edhe tifozët gjithashtu.
Pavarësisht çfarë ka ndodhur, ata janë djemtë tanë dhe të gjithë duhet ta mbështesim ekipin atë ditë. Të bëjmë një sforco të madhe dhe ta ndihmojmë skuadrën dhe ta inkurajojmë, sepse është një finale në fushë tonë. Duhet ta fitojmë patjetër. Të kalojmë këtë ndeshje me sukses pastaj të shikojmë për ndeshjet e tjera”, shprehet fillimisht Laluci.
VAZHDIMËSIA DHE BYLIS – Vangjel Laluci thekson ndeshjet me rivalët direkt janë të gjitha të vështira dhe nuk duhet që të humben. Ai analizon dhe ndeshjen e kaluar me Bylisin që përveç humbjes ngjalli edhe polemika. “Këto janë ndeshje të vështira që ne nuk duhet t’i humbasim. Edhe Bylisi edhe ne luajtën në ekuilibër. Pra nuk pati rrezikshmëri. Kush të gabonte do të fitonte lojën. Në këtë aspekt në një farë mënyre na vuri edhe në gjumë loja. Në pjesën e dytë deri në minutën e 84-të ne filluam të ishim më kërkues. Gjithë loja u përqendrua te 10 minutat e fundit. Aty pastaj ka vend për t’u analizuar si nga ana teknike dhe në atë emocionale. Nuk diskutohet pastaj vështirësia teknike dhe taktike janë prezentë, por edhe ana emocionale është e madhe”, thotë ish drejtori.
KËSHILLA – Ish-drejtori Vangjel Laluci këshillon stafin teknik që të aktivizojë të riun Lushaj pasi nuk kanë çfarë humbasin. “Unë mendoj se Lushaj duhet që ta aktivizojnë. Ai djalë duhet që të marrë më tepër minuta. Le ta provojnë nuk kanë çfarë të humbasin në fund të fundit. Edhe ata që po luajnë nuk është se po japin diçka që janë të pazëvendësueshëm”, përfundon Laluci.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













