Laçi “makineri fitoreje”, trajneri Shensoj “ndez ëndrrën” e Superiores me 11 triumfe radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2026 | 12:11

Laçi “makineri fitoreje”, trajneri Shensoj “ndez ëndrrën” e Superiores me 11 triumfe radhazi

Laçi nuk di të ndalet. Kurbinasit mposhtën të shtunën Apoloninë me rezultatin 2-1, duke regjistruar fitoren e 11-të radhazi në kampionat dhe duke vazhduar presionin ndaj kryesuesit Skënderbeu. Për vendasit shënuan Jakpona dhe Olsi Myrta, ndërsa për fierakët barazoi përkohësisht talenti 17-vjeçar Romarjo Sulo.

laci apolonia

Ndeshja e zhvilluar në Laç nisi me ritëm të lartë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Shensoj, që kërkoi menjëherë golin. Nerguti provoi nga distanca, por portieri Kaçaj u tregua spektakolar me ndërhyrjet e tij. Presioni i bardhezinjve u konkretizua më pas me një goditje standarde, Ledio Tresa kroson saktë dhe Jakpona, me një goditje të bukur me kokë, dërgon topin në rrjetë duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Megjithatë, Apolonia reagoi në fundin e pjesës së parë. Në minutat e fundit të fraksionit të parë, 17-vjeçari Romarjo Sulo lëshoi një goditje të saktë me të djathtën, duke mposhtur portierin Hasanbelli dhe duke barazuar rezultatin 1-1, shifër me të cilën skuadrat shkuan në pushim. Në pjesën e dytë, Laçi u shfaq më kërkues dhe këmbëngulës në sulm. Përpjekjet e kurbinasve u shpërblyen nga Olsi Myrta, i cili po zhvillon një sezon të shkëlqyer dhe realizoi golin e tij të 13-të në këto 25 javë kampionat, duke rikthyer epërsinë për vendasit dhe duke vulosur fitoren 2-1.

Rakipaj e mbyll si portier tek Apolonia

Në fund të takimit, Apolonia mbeti edhe me një lojtar më pak, pasi portieri Leonard Kaçaj u ndëshkua me karton të kuq. Një episod i pazakontë ndodhi në minutën e 90-të të ndeshjes. Pas përjashtimit të portierit Leonard Kaçaj nga gjyqtari Erjon Bastari për një ndërhyrje të parregullt ndaj një lojtari të Laçit, Apolonia u detyrua të improvizojë në portë. Meqë fierakët kishin kryer të tre zëvendësimet, mesfushori Mikael Rakipaj veshi dorashkat dhe u vendos mes shtyllave për minutat e fundit të takimit. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Laçit. Me këtë sukses, kurbinasit vazhdojnë marshimin drejt rikthimit në Superiore dhe mbeten në ndjekje të kryesuesit Skënderbeu, ndërsa Apolonia vijon luftën për mbijetesë në Kategorinë e Parë.

Laçi – Apolonia 2-1

Golat: Jiakpona 22’, Myrta 73’ / Sulo 45’

Laçi: Hasanbelli, Kurti, Jiakpona, Tresa, Doukouo, Myrta (Cena 90’), Bibo, Mjaki, Nerguti, Laval (Tola 46’), Kalaj (Muhamad 60’). (Në dispozicion: Biba, Pojana, Azizi, Taleb, Nikolli, Hilaj, Xhafa). Trajner: Naxhi Shenshoj.

Apolonia: Kaçaj, Topi, Folorunsho, Amagba, Amaefula, Ndubuisi, Kuvuvor (Gabriel 28’), Mahmutaj (Cjapi 82’), Rakipaj, Umejiego (Kudamo 61’), Sulo. (Në dispozicion: Anane, Bushi). Trajner: Mirko Jovanoviç

Kartonë të verdhë: Umejiego 41’, Folorunsho 42’, Gabriel 51’, Mundija 54’, Kudamo 72’, Rakipaj 80’

Kartonë të kuq: Kaçaj 90’

Gjyqtarë: E. Bastari, M. Shazivari,  Xh. Mani (Tiranë)

Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)

Vëzhgues: Blerim Ziri (Fushë-Krujë)

 

Tekniku i kurbinasve

Trajneri Shensoj “ndez ëndrrën” e Superiores me 11 triumfe radhazi

Nën drejtimin e trajnerit Naxhi Shensoj, Laçi po shfaqet i pamëshirshëm në kampionat. Fitorja e fundit ndaj Apolonisë ishte e 11-ta radhazi për kurbinasit, një seri mbresëlënëse që i mban ata në ndjekje të objektivit madhor: rikthimin në Superiore. Edhe pse starti nën drejtimin e Shensojit nuk ishte shumë i shpejtë, skuadra ka marrë ritmin e duhur dhe tashmë po ecën me hap të sigurt drejt majës. Pas suksesit ndaj fierakëve, trajneri i Laçit u ndal te analiza e ndeshjes, rritja e ekipit dhe objektivi i sezonit. “Të tre golat në këtë ndeshje i shënuam ne, pasi edhe ai i Apolonisë erdhi pas një gabimi të mbrojtësit tonë, që me kokë i dha një asist kundërshtarit. Besoj se çelësi i suksesit të ekipit lidhet me përgatitjen e mirë fizike që kemi bërë që nga fundi i vitit të kaluar dhe deri më sot, gjë që po reflektohet edhe në këto fitore radhazi”, u shpreh Shesoj.

naxhi shensoj

Trajneri theksoi se skuadra nuk ka pasur si qëllim thjesht serinë e fitoreve, por synon diçka shumë më të madhe. “Objektivi ynë nuk ka qenë të arrijmë 11 fitore radhazi. Qëllimi është të ngjitemi në Superiore dhe pse jo ta mbyllim kampionatin në vendin e parë. Çdo ndeshje deri në fund do ta trajtojmë si një finale, por pa krijuar presion të panevojshëm, sepse edhe psikologjikisht nuk është mirë për skuadrën”, tha ai. Shesoj pranoi gjithashtu se skuadra duhet të ruhet nga vetkënaqësia, sidomos duke pasur parasysh se grupi përbëhet nga shumë lojtarë të rinj. “Lojtarëve u kam thënë se në çdo ndeshje kemi dy kundërshtarë: atë që kemi përballë në fushë dhe vetkënaqësinë apo euforinë. Ne e nisëm mirë me presingun dhe krijuam disa raste, por nuk jam plotësisht i kënaqur me finalizimin. Megjithatë, ndeshjen e zgjidhëm përmes goditjeve standarde. Fitorja është fitore dhe jam i kënaqur, sidomos edhe me paraqitjen dhe ecurinë shumë të mirë të Myrtës”, përfundoi trajneri i kurbinasve. Me këtë ritëm, Laçi po shfaqet si një nga skuadrat më në formë të momentit dhe gara për ngjitjen në Superiore premton të mbetet e hapur deri në javët e fundit të sezonit.

PANORAMASPORT.AL