Kupa ndihmon Partizanin, avantazh për të kuqtë drejt Final Four
Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë nga Elbasani në fazën çerekfinale të turneut “dogji” shumë për Partizanin, sidomos edhe pas mënyrës si erdhi. Të kuqtë kishin fituar 1-0 në Elbasan, ndërsa më pas u mposhtën 3-1 në shtëpi nga verdheblutë pas kohës së rregullt, teksa ndeshja dhe sidomos fundi i saj krijoi shumë polemika për një penallti të akorduar në favor të miqve nga arbitri Hamiti.

Megjithatë, tashmë ai takim dhe ky kompeticion është “hedhur pas krahëve” pasi të kuqtë kanë vendosur të gjitha energjitë në kampionat për të prekur “Final Four”, teksa aktualisht skuadra mban vendin e katërt me 44 pikë. Por, pavarësisht se tashmë Kupa është një kompeticion i përfunduar për kryeqytetasit, sërish Kupa mund t’u vijë në ndihmë, kjo për shkak të kalendarit.
Kështu, në momentin që kampionati do të rikthehet pas pauzës së kombëtareve, Partizani do të përballet fillimisht me Vllazninë e më pas me Elbasanin. Pikërisht, para ndeshjes me të kuqtë në datën 12 prill, te Elbasani do të kenë impenjimin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias. Verdheblutë, pritet të shpenzojnë goxha energji duke qenë se kërkojnë t’i shkojnë në fund të dyja kompeticioneve, si Kupës ashtu edhe kampionatit.
Në këtë pikë, mund të përfitojë Partizani që përveçse do të ketë një javë të plotë për ta përgatitur ndeshjen në transfertë ndaj Elbasanit, do të gjejë edhe lojtarë në radhët e kundërshtarëve që pritet të jenë më të konsumuar pas një impenjimi si ai me Egnatian. Në këtë rast, Kupa dhe fakti që janë jashtë këtij kompeticioni, mund t’u vijnë në “ndihmë” te Partizani për të marrë maksimumin ndaj një rivali direkt në kampionat si Elbasani, pasi sigurisht një trepikësh ndaj verdhebluve, do t’i bënte “Demat” pjesëmarrës me të drejta të plota në garën e titullit.
PANORAMASPORT.AL













